Marash Kumbulla ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt rikthimit në fushë. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare i është bashkuar shokëve të skuadrës te Rayo Vallecano në stërvitje, ndërsa ka qenë vetë lojtari që e ka ndarë këtë moment në profilin e tij në Instagram.
“I lumtur të stërvitem me grupin. Një javë e një pune të palodhur dhe përqëndrimi”, shkruan Kumbulla në postim. Një zhvillim tepër i rëndësishëm, jo vetëm për skuadrën spanjolle, por edhe për Kombëtaren dhe trajnerin Rolando Maran, pasi në fund të muajit do të luhen edhe ndeshjet e Ligës së Kombeve, përballë Bjellorusisë më 26 shtator dhe San Marinos më 29 shtator.
26-vjeçari iu bashkua Rayos këtë verë me formulën e huazimit nga Roma. Qendërmbrojtësi ishte për herë të fundit pjesë e Mallorca, por nuk pati mundësinë që të shfaqë potencialin e tij në prapavijë, kjo edhe për shkak të kalvarit të dëmtimeve dhe si rrjedhojë, nuk u ble nga ekipi i rënë nga kategoria.
