Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka komentuar ngërçin e krijuar me bllokimin e pagave të magjistratëve dhe të administratës së tyre. Manjani tha se kallëzimi në SPAK i ministrit Malaj është idiot.
Më tej, Manjani i ftuar në Euronews Albania, tha se prokurorët dhe gjyqtarët janë në shkelje, pasi ligji nuk i lejon grevat apo lëvizjet sindikaliste.
Sipas Manjanit, nuk ekziston asnjë fjalë, pikë, presje apo paragraf në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në ligjet që të legjitimojë që KLGJ dhe KLP t’ua vendosin pagat vetes. Sipas tij, pagat vendosen sipas buxhetit të miratuar nga Parlamenti.
Manjani: Kallëzimi në SPAK është idiot. Ajo që po ndodh është kjo: Gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë nuk u lejohet të hyjnë në grevë, por tani po bëjnë reagime sindikaliste. Praktikisht kanë shpallur një grevë, edhe pse e ndalon ligji, dhe kanë gjetur një formë dhe luajnë me faktin e kryer që t’i bëjnë buxhetit të shtetit atë që kërkojnë.
Nuk ekziston asnjë fjalë, pikë, presje apo paragraf në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në ligjet që të legjitimojë që KLGJ dhe KLP t’ua vendosin pagat vetes. E ndaluar. Kushtetuta e thotë hapur që KLGJ dhe KLP propozojnë buxhet, nuk vendosin buxhet. E thotë Kushtetuta këtë, jo unë. Vendosin paga, por jo buxhet, dhe buxhetin e vendos dhe e miraton Parlamenti.
Kjo është një lëvizje sindikaliste e parregullt në vendin tonë. E dyta, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Kuvendi ta zbatojë, pra nuk mundet që vendimi i GJK-së të thotë: ‘Vendose rrogën sa do ti dhe çoja Thesarit ta ekzekutojë’. Këtë kanë bërë ata.
Ajo që kanë bërë KLGJ dhe KLP lidhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por kjo e fundit nuk ka zyrë përmbarimore.
