Ogerta Alushi, e diplomuar në Master për Mësuesi në Gjuhën Gjermane në vitin 2024, në Universitetin e Durrësit, denoncon se prej dy vitesh nuk ka marrë diplomën.
Ajo thotë se i nevojitet për punësim jashtë vendit. Kur pyet në universitet, i thonë se diplomat nuk janë shtypur nga shtypshkronja.
Ogerta Alushi, denoncuese: Ma kërkojnë me se s’bën diplomën.
Punonjësja: Nuk kanë ardhur.
Ogerta Alushi, denoncuese: Më fal, por kur mund të vijnë, se për dy vite, tani…?
Punonjësja: Nuk i sjell shtypshkronja.
Ogerta Alushi, denoncuese: Po ju, nuk e keni në dorë, që t’i flisni shtypshkronjës, që “shiko se…”?
Punonjësja: Është zyrë tjetër, që merret me diplomat.
Ogerta Alushi, denoncuese: Ne jemi në dorë të fatit, kur të vijnë ato.
Punonjësja: Të tjerat kanë ardhur, vetëm gjermanishtja nuk ka ardhur.
Ogerta Alushi, denoncuese: Më fal, po si mund ta bëj unë, se dua të punoj jashtë shtetit dhe realisht do iki? Nuk është, se po ia fus kot. Nuk dua të filloj kameriere, kur kam mbaruar një shkollë!
Punonjësja: Është e drejta jote të marrësh diplomën, por nuk është në dorën tonë.
Ogerta Alushi, denoncuese: Po në dorën e kujt është, të paktën ta di edhe unë, që të iki diku e të flas…?
Pas interesimit të emisionit “Stop” pranë Universitetit të Durrësit dhe kërkesës zyrtare për informacion, institucioni njofton se diplomat janë gati për t’u tërhequr.
Por, kur Ogerta shkon ta marrë, përballet me një tjetër problem: diploma përmban gabime të rënda në shkrim dhe në vitin akademik.
“Unë e mora diplomën, por te diploma ishin të dhënat gabim. Data e përfundimit me kohë të plotë ishte në 2026, por ndërkohë unë kam mbaruar në 2024.“










