Trafik armësh? Drejtuesi i KAYO mohon akuzat: Nuk jemi përfshirë! (Çfarë thotë për Ron Yeffet?)

10 Shtator 2026, 22:25Kronika TEMA
Trafik armësh? Drejtuesi i KAYO mohon akuzat: Nuk jemi përfshirë!

Administratori i shoqërisë shtetërore KAYO, Ardi Veliu, ka mohuar përfshirjen e kompanisë në trafik armësh, pas publikimit nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj të disa përgjimeve ku pretendohet se diskutohet për tranzitimin e armëve përmes Shqipërisë.

Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Veliu sqaroi fillimisht strukturën e KAYO-s dhe marrëdhëniet e saj me kompanitë partnere. Sipas tij, kompania shtetërore ka aktualisht gjashtë kompani të përbashkëta dhe jo katër.

Ai shpjegoi se, kur KAYO synon të zhvillojë vetë një produkt, duhet të ndjekë procedurat e prokurimit publik, ndërsa në rastet kur propozimi vjen nga operatorë ekonomikë me eksperiencë, fillimisht paraqitet një letër interesi dhe më pas zhvillohen negociata për një plan biznesi.

“Kur nga operatorë ekonomikë, të cilët kanë eksperiencë dhe janë në gjendje të zhvillojnë një produkt të caktuar, ata në fillim shprehin letrën e interesit dhe, bazuar në këtë, fillojnë negociatat për të hartuar një plan biznesi të detajuar për këtë produkt të caktuar. Nëse ky produkt do të jetë fitimprurës dhe nuk kërkon angazhim konkret nga pala jonë… nga KAYO janë harxhuar zero lekë për themelimin e këtyre kompanive”, u shpreh ai.

Duke folur për TIMAK Defence, Veliu tha se kërkesa për bashkëpunim me KAYO-n ka nisur që në janar 2025, me synimin për prodhimin dhe përshtatjen e automjeteve për Forcat e Armatosura. Sipas tij, ndryshimi i pjesëmarrjes së KAYO-s nga 45% në 20% të aksioneve erdhi pas rishikimit të planit të biznesit nga TIMAK.

“Para se të konkretizonim një bashkëpunim, ne duhet të marrim një VKM ku na përcaktohet mënyra dhe kushtet sesi duhet të negociojmë. Pasi morëm VKM, kaluam në bordin e KAYO-s dhe u mor autorizimi që të ngrihej grupi negociator. Ne ngecëm në negociata, pasi në mes Timak u tërhoq dhe solli plan biznesi të ri, ku e trefishonte investimin. Në këto kushte u kërkua nga bordi ripërcaktim i kushteve të negocimit. Pasi doli VKM me kushtet e reja, u arrit ajo marrëveshje”, deklaroi Veliu.

Për përfshirjen e biznesmenit Ron Yeffet në këtë partneritet, Veliu tha se negociatat e KAYO-s kanë nisur me TIMAK dhe se ndryshimet në strukturën e aksionerëve kanë ndodhur gjatë procesit.

“Timak Defence ka shitur aksionet në rrugë e sipër. Negociatat tona kanë nisur me Timak. Unë Ron Yeffet e kam takuar ditën kur është themeluar kompania se ishte aksioner”, tha ai.

Veliu mohoi gjithashtu mundësinë që KAYO të përdoret për tranzitimin ose paketimin në Shqipëri të armëve të prodhuara jashtë vendit.

“KAYO, duke qenë shoqëri tregtare, ka të gjithë të drejtën të zhvillojë aktivitete në Shqipëri dhe të dalë në eksport me të gjitha prodhimet që do të prodhohen në Shqipëri. Për të shkuar në prodhim, legjislacioni shqiptar është i rregulluar. Për të prodhuar, duhet të marrë licencë. Ne nuk mund të importojmë lëndë të para që do të përdoren për prodhimin e produkteve të licencuara që janë në luftë, nuk janë vende mike. Është e pamundur që një produkt që do të prodhohet në një vend tjetër, të paketohet këtu dhe të eksportohet”, deklaroi administratori i KAYO-s.

Ai foli edhe për investimin prej 15 milionë eurosh të parashikuar nga TIMAK Defence, duke mohuar pretendimin se kjo shumë duhej të ishte derdhur menjëherë përpara nisjes së aktivitetit.

“Jo, nuk është e vërtetë. Ky 15 mln euro do të jetë për rivitalizimin e ish-uzinës së traktorit, që duhet të kthehet në ambiente të përshtatshme. Ky investim po kryhet. Projekti i propozuar nga Timak është duke u analizuar nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes. Pasi të marrë certifikatë për prodhimin e produktit, kur të jetë në gjendje finale, do të kalojë në laborator për t’u certifikuar. Në fillim me Timak Defence, do të vazhdojmë me përshtatjen e makinave të kalueshmërisë së lartë, në varësi të nevojave”, tha Veliu.

Në fund, ai hodhi poshtë kategorikisht çdo lidhje të KAYO-s me trafik armësh, duke theksuar se kompania aktualisht nuk ka nisur aktivitet prodhues në fabrikat që ka në pronësi.

“Se çfarë thotë x apo y në jetën e tij private, kjo është përgjegjësi e atyre, jo e jona. Nuk jemi përfshirë në trafik armësh. Zero. Deri më tani përfshirja e KAYO-s është zero, se fabrikat që kemi marrë dhe i kemi në pronësi, aktiviteti është zero i prodhimit, nuk kemi asnjë lloj mundësie, qoftë dhe teorike, që t’i futemi këtij procesi”, përfundoi Veliu.

Lini një Përgjigje