Pas publikimit të disa përgjimeve ku përmenden plane për tranzit armësh përmes Shqipërisë, Arjeta Puca, pronare e kompanisë TIMAK, ka folur për Opinion, për marrëdhënien e saj me biznesmenin amerikano-izraelit Ron Yeffet dhe partneritetin me kompaninë shtetërore KAYO.
Yeffet ka marrë 49% të aksioneve të TIMAK rreth një vit më parë. Ndërkohë, TIMAK dhe KAYO kanë krijuar kompaninë TIMAK Defence, e cila synon prodhimin dhe përshtatjen e automjeteve sipas nevojave të Forcave të Armatosura shqiptare. Në këtë kompani, KAYO zotëron 20% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër i përket TIMAK.
Puca: Ron Yeffet është ortaku im në Timak.
Fevziu: Përse vendose të bëje një partneritet me KAYO-n?
Puca: Ne kemi filluar si start up dhe kishim të nevojshme që të rrisim, të bëjmë një prodhim më të madh në Shqipëri, këtu nuk ekziston një kompani si e jona. Jemi të parët. Vetë shteti ka nevojë për një kompani të tillë.
Fevziu: Kush ua bëri ofertën për të bashkëpunuar?
Puca: Ishte bashkëbisedim. Edhe për ne ishte e rëndësishme që të kalonim në kapacitete më të larta.
Në intervistë Puca tha se vendimi për të sjellë Yeffet si ortak lidhej me synimin për të zgjeruar aktivitetin e kompanisë dhe për të rritur kapacitetet e prodhimit në Shqipëri.
Fevziu: Përse i shitët 49% të aksioneve Ron Yeffet?
Puca: Kishim qejf të rriteshim. Nuk kisha një njeri mbrapa që të ecja më shpejt si doja. Ron Yeffet ka një background të madh, është biznesmen i njohur. Ka dhe certifikatat e sigurisë nga shtetet e Amerikës dhe vende të tjera ku punon. Kemi qenë në një takim biznesmenësh edhe jemi njohur.
E pyetur se përse i kishte shitur 49% të aksioneve Yeffet, Puca tha se synonte të rritej më shpejt dhe se kishte nevojë për një partner me eksperiencë dhe mundësi financiare.
Fevziu: Si mund të vlejnë 49% të një kompanie që prodhon 500 dollarë?
Puca: Nuk është 500 dollarë. Në atë vit kisha marrë dividentin, është shitur si pjesa nominale, ndërkohë kemi një tjetër kontratë se sa investim do të bëjë ai në kompani. Është vlera 70 mln euro. Ka filluar ta bëjë këtë investim, madje ka sjellë shumë projekte të mëdha që deri në fund të vitit do të kalojmë në miliarda euro.
Sipas saj, marrëveshja mes tyre parashikon një investim prej rreth 70 milionë eurosh. Puca tha se investimi ka nisur dhe se Yeffet ka sjellë projekte të tjera që, sipas saj, mund ta çojnë aktivitetin e kompanisë në vlera shumë më të mëdha në të ardhmen. Puca foli gjithashtu për investimin prej 15 milionë eurosh që TIMAK Defence duhet të realizojë.
Fevziu: Ju duhet të plotësoni si Timak 15 mln euro që të filloni. Janë bërë 15 mln euro investim?
Puca: Ne e kemi filluar investimin. Do të plotësohet brenda 3 viteve, por edhe më shpejt.
Ajo tha se investimi ka nisur dhe se pritet të përfundojë brenda tre viteve, madje mund të realizohet edhe më shpejt. Sa i përket ndryshimit të pjesëmarrjes së KAYO-s në TIMAK Defence, nga 45% që ishte parashikuar fillimisht në 20%, Puca tha se lidhet me kërkesën e kompanisë për të zgjeruar investimin dhe aktivitetin.
Fevziu: KAYO në fillim kishte 45% të aksioneve te Timak Defence dhe me një vendim të rishikuar shkon në 20%. Ku shkuan këto 25%?
Puca: Ne kemi qejf të zgjerohemi dhe erdhëm me kërkesë për të bërë investim më të madh.
Pyetja kryesore e intervistës lidhej me përgjimet ku përmendet mundësia e përdorimit të Shqipërisë për ambalazhimin dhe trafikun e armëve.
Fevziu: A mund të përdoret Timak Defence për të ambalazhuar, siç dilte në përgjim?
Puca: Nuk është aq e thjeshtë të thuash trafik armësh. Ne në të ardhmen kemi qejf të zgjerojmë gamën tonë dhe kemi qejf të prodhojmë pushkë, pistoletë, dronë made in Albania.
E pyetur nëse TIMAK Defence mund të përdorej për këtë qëllim, Puca e mohoi një mundësi të tillë dhe tha se çështja nuk mund të përkufizohet kaq thjesht si trafik armësh. Puca tha se kompania synon në të ardhmen të zgjerojë aktivitetin dhe të prodhojë edhe armë të lehta dhe dronë në Shqipëri.
Fevziu: A keni kërkesë nga Ukraina për ta pajisur me pajisje ushtarake?
Puca: Jo, me Ukrainën jo. Aplikojmë, komunikojmë dhe shpresojmë që të kemi. Ne kemi biseduar me disa shtete afrikane. Prodhojmë makina të blinduara, makina policie, ambulanca.
Puca mohoi gjithashtu se kompania ka aktualisht një kërkesë nga Ukraina për furnizim me pajisje ushtarake. Ajo tha se TIMAK aplikon dhe komunikon me vende të ndryshme, ndërsa ka zhvilluar bisedime edhe me disa shtete afrikane. Sipas saj, kompania prodhon aktualisht automjete të blinduara, automjete për policinë dhe ambulanca.
Në fund, Puca u pyet edhe për përgjimin ku Ron Yeffet dëgjohet duke diskutuar me një kompani ukrainase.
Fevziu: A jeni ju në dijeni të përgjimit të Ron Yeffet në bisedime me një kompani ukrainase?
Puca: S’kam asnjë koment, se nuk është ndonjë përgjim legal apo prokurori. Nuk e di çfarë është dhe s’di çfarë të them. Të gjithë janë të mirëseardhur të vijnë të verifikojnë.
Për përgjimin ku Ron Yeffet dëgjohet duke diskutuar me një kompani ukrainase, Puca tha se nuk kishte koment, pasi nuk e di origjinën dhe statusin e tij.











