Fustani ikonik i Princeshë Dianës, i veshur prej saj në një mbremje gala në Londër, pak orë pasi princi i atëhershëm Charles, pranoi publikisht se e kishte tradhëtuar, do të dalë në ankand.
Fustani i dizajnuar posaçërisht nga stilistja Christina Stambolian, është bërë një prej veshjeve më të famshme të Dianës, pasi ajo u shfaq me të në Galerinë Serpentine në vitin 1994 dhe krijoi një nga momentet më të komentuara të kohës. Aso kohe mediat e “pagëzuan” veshjen si “fustani i hakmarrjes”. Shtëpia e ankandeve Sotheby’s pret që fustani të shitet për deri në 300 mijë dollarë, rreth 220 mijë paund, kur të dalë në ankand më 9 dhjetor.
Sipas Sotheby’s, kjo është hera e parë që fustani ofrohet në ankand që nga viti 1997, kur Princesha Diana shiti 79 prej fustaneve të saj për të mbledhur fonde për organizata bamirësie.
Morgane Halimi, drejtuesja globale e departamentit të çantave dhe modës në Sotheby’s, tha se Diana “e kuptonte instinktivisht” se moda mund të ishte një gjuhë më vete.
“Me kushtet e saj, Princesha Diana e ktheu fustanin në një prej mesazheve më të fuqishme që ka përcjellë ndonjëherë, në një nga periudhat më të vëzhguara dhe emocionalisht të ngarkuara të jetës së saj”, tha Halimi.
Princesha e ndryshoi zgjedhjen e veshjes në momentin e fundit atë mbrëmje, duke zgjedhur fustanin e zi pa mëngë të stilistes greke Christina Stambolian. Ajo e kombinoi me një çantë të zezë, këpucë të zeza dhe një bizhuteri mbretërore. Edhe automjeti me të cilin Diana mbërriti në event, një Jaguar XJ40, është shitur në ankand në fillim të këtij viti për 66,250 paund. Megjithatë, fustani ikonik pritet të arrijë një çmim shumë më të lartë.
