E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Rindërtimi pas tërmetit të 2019-ës, vijojnë punimet në lagjen nr. 3 në Laç

Ilustrim · Vizion Plus

Lagjja nr. 3, e njohur më herët si zona e “Parafabrikateve” në qytetin e Laçit, po merr një tjetër pamje pas përfundimit të ndërtimit të pallateve të reja dhe dorëzimit të apartamenteve te banorët përfitues, familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019.

Pas përfundimit të banesave të reja, puna ka vijuar me sistemimin e infrastrukturës dhe hapësirave përreth pallateve, me qëllim krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm, funksional dhe të sigurt për banorët.

Në terren po kryhen ndërhyrje për rregullimin dhe sistemimin e hapësirave publike, duke i dhënë lagjes një pamje të re dhe duke krijuar kushte më bashkëkohore jetese.

Punimet në lagjen nr. 3 u inspektuan edhe nga kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, e cila pa nga afër ecurinë e ndërhyrjeve dhe punën që po kryhet për sistemimin e infrastrukturës.

Sipas Bashkisë Kurbin, ndërhyrjet synojnë përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të jetesës për familjet që tashmë janë sistemuar në apartamentet e reja, duke e kthyer zonën në një lagje më moderne dhe funksionale.

Transformimi i zonës së “Parafabrikateve” përbën një tjetër ndryshim të dukshëm në Laç.

Pas ndërtimit të banesave të reja, fokusi është përqendruar edhe te krijimi i një infrastrukture dhe hapësire urbane në përputhje me standardet e reja të banimit.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh