Një 46-vjeçar me origjinë shqiptare është dënuar me gjashtë vite burg në Austri, pasi u shpall fajtor për një seri grabitjesh në banesa në rajonin e Vorarlbergut.
Sipas mediave të huaja, ngjarjet kanë ndodhur gjatë muajve korrik dhe gusht të vitit të kaluar, kur 46-vjeçari dyshohet se ka hyrë me forcë në nëntë banesa, duke lënë pas një “gjurmë shkatërrimi”. Në shënjestër të tij ishin familje që ndodheshin me pushime dhe që, pas kthimit në shtëpi, u përballën me një situatë kaotike.
Sipas hetimeve, nga nëntë banesat janë grabitur para dhe sende me vlerë, me një vlerë totale prej të paktën 14 mijë eurosh. Megjithatë, dëmi i shkaktuar ishte shumë më i madh, pasi përveç sendeve të vjedhura, familjet u përballën me dëmtime të konsiderueshme në banesat e tyre. Dyert ishin thyer, ndërsa në disa raste ishin dëmtuar edhe xhamat gjatë hyrjes me forcë.
Autoritetet kanë ngritur dyshime se në disa prej grabitjeve 46-vjeçari mund të ketë pasur edhe një bashkëpunëtor. Megjithatë, identiteti i tij nuk është zbardhur. Sipas raportimit të medias austriake “Krone”, vetëm i pandehuri pretendon se e di identitetin e personit tjetër, ndërsa emri që ai u kishte dhënë hetuesve rezultoi të ishte i sajuar.
Hetimi mori një kthesë vendimtare pas gjetjes së gjurmëve të ADN-së në vendngjarje. Analizat forenzike i lidhën në mënyrë të qartë gjurmët me 46-vjeçarin shqiptar, duke çuar autoritetet drejt tij. Për të ishte lëshuar një urdhër-arresti evropian dhe që prej marsit të këtij viti ai ndodhej në paraburgim në burgun e Feldkirchut.
46-vjeçari nuk ishte i panjohur për drejtësinë. Ai rezulton të ketë dënime të mëparshme për vjedhje dhe grabitje, ndërsa ka vuajtur dënime me burg edhe në Suedi dhe Danimarkë.
Të mërkurën, ai doli para gjykatës në Austri, ku u përball me akuzat për serinë e grabitjeve. I pandehuri u shfaq i prangosur dhe gjatë seancës u shpreh i penduar për veprimet e tij. Kur u pyet nga kryetarja e trupit gjykues se si e imagjinonte jetën e tij në të ardhmen, 46-vjeçari deklaroi se dëshironte të ndryshonte, duke iu referuar edhe dy fëmijëve të tij.
“Sigurisht që dua të ndryshoj, në fund të fundit kam dy fëmijë”, u shpreh ai.
Megjithatë, sipas prokurores Konstanze Erath, dëmi i shkaktuar familjeve ishte shumë më i madh se shuma e sendeve dhe parave të grabitura. Duke përfshirë edhe shumat e rimbursuara tashmë nga kompanitë e sigurimit.













