Shkrija e bashkisë Klos, inxhinieri: Bashkimi filloi: së pari na hoqën fjalën

Shkrija e bashkisë Klos, inxhinieri: Bashkimi filloi: së pari na hoqën fjalën

09:36, 11/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Abdulla Diku/

Isha mbrëmë në dëgjesën publike në Burrel për shkrirjen e Bashkisë Klos.

Kisha shkuar të flisja për Xibrin tim.

Pikërisht në një dëgjesë ku supozohej se duhej të dëgjohej edhe mendimi i njerëzve të Xibrit dhe Klosit.

Pjesmarrja në dëgjesë ishte sa 50% e asaj dëgjese që u bë në Xibër.

Thuajse aspak interes nga qytetarët e Burrelit.

Nejse, sapo u kuptua se isha kundër shkrirjes së bashkisë Klos, filluan ndërhyrjet dhe kundërshtimet e disa personave në sallë. Shumica e të ‘pakënaqurve’ nga fjala ime - mora vesh se ishin punonjës e drejtorë të bashkisë MAT.

Krejt e kuptueshme kjo nga ana e tyre!

Atje mes maleve (Xibër), askush nuk u ndërpre a pengua të flasë. Në Burrel (qyteti ku kan vendosur të jetë qendra e bashkise së madhe) nuk mund të flasësh, sepse i trazon gjumin beut nga fshati, që jeton tashmë në qytet…

Dje duhej të ishte koha kur na dëgjojnë më shumë, na respektojnë më shumë dhe përpiqen akoma më shumë të na bindin.

Nga halli (i tyre) të paktën, por JO.

Ironia më e bukur?

Ndër më të zellshmit në panel ishte një person nga Gurra, pra nga Bashkia Klos. Ishte bërë ‘qytetar’ Burreli. Pushtetarë gjithë jetën ky, sic më treguan. I ëmbël pushteti, madje më shumë se mjalti…Në vend që të përfaqësojë Gurrën psh. ka kapur sëpatën në dorë kundër saj.

M'u kujtua Viduk Kuislingu.

Jo për përmasat e historisë, se natyrisht ato as nuk krahasohen, por për ironinë që e bëri emrin e tij proverbial KUISLING.

Nganjëherë, për t'ia hapur portën dikujt, më i dobishëm është një njeri nga brenda.

Dhe aty tragjikomedia bëhet vërtet serioze.

Vazhdojmë.

Sot ju duhet Klosi.

Ju duhet territori i tij, e tek-tuk edhe njerëzit e tij.

E pra sot, kur nuk na kan bërë akoma bashkë, nuk na lejojnë as të flasim në një dëgjesë publike që nuk ngre e as ul asnjë lloj peshe.

Imagjinoni nesër….

Kur Bashkia Klos të mos ekzistojë më.

Kur vendimmarrja të jetë në Burrel.

Kur Klosi dhe me keq akoma Xibri e Guri Bardhë të jetë vetëm një cep i një bashkie shumë më të madhe.

Kur të mos ju duhet më as miratimi ynë për ta marrë, sepse do e kenë marrë tashmë…

Nëse sot, kur na e kan nevojën më shumë se kurrë dhe po përvëlohen për pak “bashkim” me Klosin, nuk na dëgjojnë, çfarë arsyeje kemi të besojmë për nesër?

Nëse sot, nuk na lënë të flasim në një dëgjesë publike, çfarë peshe do të ketë nesër zëri i Xibrit, Gurit të Bardhë, Gurrës etj. në një bashki shumë më të madhe?

Është e qartë se ju duhen tokat, pyjet, kullotat, uji e burimet natyrore të Klosit, por aspak banorët.

Në fakt, dëgjesa e djeshme paraqiti pa dashje argumentin më të mirë kundër bashkimit:

Na treguan se si mund të trajtohemi nesër.

Dhe për këtë demonstrim praktik e krejt të natyrshëm, duhet t'i falënderojmë.

Kjo ishte pjesa më bindëse e gjithë dëgjesës.

Jo ajo që na thanë.

Ajo që na TREGUAN.

Vetë nuk kisha asnje lloj dyshimi…


© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco