Një vendim i beftë erdhi mëngjesin e kësaj të premte, ku ndryshime u raportuan në kabinetin e Edi Ramës. Siç njoftuam dhe më herët, kreu i qeverisë vendosi të shkarkojë nga detyra e ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallarin, post të cilin ky i fundin e mbajti prej disa muajsh.
Ndërkohë, që burime për mediat bëjnë me dije së fundmi se pasuesi i tij do të jetë pikërisht, Ervin Demo, i cili deri më tani ka mbajtur postin e Ministrit për Pushtetin Vendor.
Emërimi i Demos në një prej dikastereve më të rëndësishme të qeverisë është një tjetër hap në karrierën e tij politike, e cila vitet e fundit ka ardhur në rritje. Demo njihet si një nga njerëzit e punës dhe shumë pranë kreut të qeverisë, Edi Rama.
Vetë kryeministri nuk i ka kursyer lëvdatat dhe përgëzimet në publik për Demon, si gjatë gjatë periudhës kur ai drejtonte Bashkinë e Beratit, ashtu edhe më pas, kur e përfshiu në kabinetin qeveritar. Prej shtatorit të vitit 2025, Demo ka mbajtur detyrën e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, ndërsa tashmë është zyrtarisht pasuesi i Lamallarit në ministrinë e Brendshme.
Ervin Demo, i lindur në Berat në vitin 1982, ka një karrierë të shtrirë në disa fusha, nga arsimi i lartë te administrata publike dhe drejtimi vendor.
Përpara emërimit në qeveri, Demo ka shërbyer si Kryetar i Bashkisë së Beratit, detyrë që e mbajti në periudhën 2019-2025. Gjatë drejtimit të bashkisë, ai u angazhua në përmirësimin e shërbimeve publike, zhvillimin dhe transformimin urban të qytetit, forcimin e transparencës dhe nxitjen e pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje. Një tjetër fokus i punës së tij ka qenë zhvillimi i turizmit dhe promovimi i Beratit si një prej destinacioneve të rëndësishme turistike në vend.
Më herët, gjatë viteve 2017-2018, Ervin Demo ka mbajtur detyrën e Zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ndërsa në periudhën 2012–2016 ka qenë Zëvendësrektor i Universitetit të Tiranës.
Karriera e tij është e lidhur ngushtë edhe me botën akademike. Që prej vitit 2004, Demo është pedagog me kohë të plotë pranë Departamentit të Menaxhimit, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.
Studimet e larta i ka kryer në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka përfunduar ciklin Bachelor dhe Master. Më pas, ka ndjekur studime postdoktorale në Universitetin e Bolonjës, në Itali, duke u specializuar në fushën e menaxhimit dhe zhvillimit akademik.


