Skandalet qeveritare/ Bozheku: arroganca e pushtetit shpërfaqet në detajet banale, nga mermeri blu tek audiopërgjimet

Skandalet qeveritare/ Bozheku: arroganca e pushtetit shpërfaqet në detajet banale, nga mermeri blu tek audiopërgjimet

09:50, 11/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një javë e mbushur me zhvillime të forta dhe skandale të njëpasnjëshme ka nxjerrë në pah akuza të rënda që e tejkalojnë korrupsionin e brendshëm dhe prekin fijet e trafikut ndërkombëtar të armëve. Ndërkohë që opinioni publik dukej i përgatitur për aferat e pronave në bregdet apo dosjen e inceneratorëve, vëmendja mediatike dhe hetimore është zhvendosur papritur te një audio-përgjim tejet shqetësues.

Bëhet fjalë për regjistrime ku individë të caktuar komunikojnë me një siguri të frikshme, duke ndarë zona influence si Vlora e Delvina, dhe duke folur hapur për linja të trafikut të armatimeve. Lehtësia me të cilën bëhen këto biseda tregon një bindje të tyre se "pazaret" me strukturat ekzekutive të shtetit janë tashmë të kopsitura. Situata merr përmasa alarmante kur në skenë dalin emra të huaj si Igor, Tatiana apo Sergei, persona të cilët në vendet e tyre të origjinës përballen me akuza të rënda për korrupsion të lidhur pikërisht me industrinë e armatimeve.

Në këto komunikime del në dritë edhe emri i Somalisë, një vend në konflikt të vazhdueshëm civil ku armët janë një treg i përhershëm. Pyetja që ngrihet automatikisht është: cili është roli i vërtetë i Shqipërisë në këtë mes? A po shërben vendi ynë thjesht si një "paketim" apo rrugë kalimi, apo përfshirja është shumë më e thellë? Kjo situatë rikthen në kujtesë edhe ngjarje tragjike nga e kaluara si ajo e Gërdecit, apo takime diplomatike të çuditshme që patën në fokus ofertat për të prodhuar dronë, siç ishte rasti i vizitës së Zelenskyt në Tiranë.

Paralelisht me këtë skandal të përmasave globale, në institucionet shqiptare duket se po luhet një "teatër absurdi". Ndërsa ish-zyrtarë të lartë po përdoren si instrumente për të nxjerrë në pah dërrasat e kalbura të sistemit, zëvendësministra dhe zyrtarë të tjerë shfaqen në publik duke ofruar linja mbrojtjeje të pakoordinuara dhe shpeshherë kontradiktore me eprorët e tyre.

Sipas avokates Eneida Bozheku që ishte e ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në syri tv, përtej këtyre ngjarjeve të rënda, arroganca e pushtetit shpërfaqet më së miri në detajet banale. Zbulimi i emaileve ku emra të fuqishëm të qeverisë si Belinda Balluku diskutojnë për ngjyrat e "mermerit blu" apo preferenca të luksit ekstrem, tregon një shkëputje totale nga realiteti. Të lësh gjurmë me shkrim për teka të tilla personale, ndërkohë që shteti akuzohet për afera të përmasave ndërkombëtare, dëshmon një mungesë të theksuar përgjegjësie dhe një siguri të verbër të zyrtarëve se ata janë mbi ligjin.

Flavio Qarri: Eneida, çfarë ke parë këtë javë që nga e hëna deri mbrëmë në darkë? Përfshi dhe email-in për mermerin blu.

Eneida Bozheku: Ai ishte interesanti i mermerit, po në fakt është një javë, ka qenë një javë zjarri përsa i përket tematikave që, që dolën. Kjo... surpriza më e madhe nuk ishte Belinda Balluku. Me thënë të drejtën mendoj që opinioni publik është përgatitur që në fund të korrikut që kur ndodhi sekuestrimi i vilës së parë në Drimadhës dhe marrja në pyetje dhe vënia nën... nën hetim, nën akuzë zotërisë... për inceneratorët. Kështu që mendoj që që aty filloi një bindje tashmë e konsoliduar përsa i përket lidhjeve dhe aferave të mbuluara në lidhje me paratë e korrupsionit do të thosha, sepse akuzat janë të ngritura për atë, tashti në këto momente. Ajo më shqetësuesja dhe që mendoj prek disa interesa jo vetëm shqiptare, por ndërkombëtare, lidhet me trafikun e armëve.

Qartazi ajo video, ai audio-përgjim që në kushtet se si dëgjohej teknike po flas, të paktën një imazh i parë hetimor duhet të jetë në të drejtim. Nuk ka të bëjë me një hetim të zakonshëm sepse ata persona të cilët flisnin aty përtej fakteve që referoheshin në mënyrë shumë të sigurt, të qartë dhe pak i shkuptime, pa interpretime.  

Vetëm për interpretim s'kishte vend aty. Janë individë që po flisnin lirshëm me njëri-tjetrin. Pra që do të thotë se gjërat në raport me shtetin shqiptar, qeverinë, në këtë rast i bie ata që është organ ekzekutiv, i kishin aq mirë të lidhura dhe kopsitura sa ata po bënin dhe ndarjen e pazarit jo vetëm territorial – do marrim Vlorën, Delvinën si plaçkë – por mbi të gjitha dhe linjën e trafikut. Se shpjegonin linjën e trafikut. Ajo që mendoj në këtë javë me intensitet më të lartë dhe duhet të ishte analizuar në atë nivelin, dimensionin e shqetësimit real shqiptar, po flasim për trafik armësh në nivel ndërkombëtar dhe shteti është i përfshirë... gjithçka tjetër le të themi në një moment më ngrin. Por kazani jonë kishte: këtej ka Belinda Ballukun, këtej ka Kajon, dhe këtej ka edhe Gjyqësoren. Mos harrojmë që kemi dhe një problem të tretë në këto momente që bashkëjetojnë.

Unë mendoj që do të vazhdojë, por duhet të jetë vëmendja shumë e lartë. Kur kemi të bëjmë me këtë e Kayos, Ben Ahmetaj për herë të parë, unë kam rezervat e mia karshi tij, por i ka bërë një shërbim Shqipërisë këtë radhë. Jo se s'e ka bërë më herët për pozicionin e vet, por këtë radhë ia ka bërë shumë të madh shërbimin Shqipërisë. Jo se donte ai, jam e bindur për këtë, ndaj mbaj përgjegjësi për çfarë them. Mendoj që janë të përfshirë struktura shumë më të fuqishme që i kanë gjetur personin e Ben Ahmetajt për shkak të besueshmërisë që ai përcjell si një figurë shumë kyçe e Rilindjes, nëse nuk i themi dot. Dhe Kayo, qartazi Bledi i tha në mënyrë shumë gazetareske detajet teknike përsa i përket deklaratave të dhëna. Dje patëm një teatër të absurdit, ku zëvendësministrja nuk dinte se çfarë po fliste, ose dhe në qoftë se po fliste, po fliste kuturu në lidhje me linjën e mbrojtjes që duhet të bëjë shteti në ato lloj akuzash. Dhe pastaj kemi deklaratat e eprorëve të saj të cilat janë totalisht kundërshtuese me njëra-tjetrën.

Një detaj i vogël që mos ta harrojmë. Para disa kohësh, dy vjetësh, se tani kjo qeveri është shumë e gjatë nuk i mbajmë mend të gjitha bëmat e veta. Kur ishte dhe Zelensky në Shqipëri, çfarë u ofrua? U ofrua që do të ndërtoheshin drone në Shqipëri.

Flavio Qarri: Ka qenë takim i çuditshëm ai se ka zgjatur shumë dhe s'kishim asgjë për t'i ofruar asokohe Zelenskyt. Besoj edhe shërbimet e tjera do kenë pyetur veten.

Eneida Bozheku: Po. Dhe tani ndodh diçka tjetër. Flas si linjë hetimore, sepse janë disa pista që duhet të ndiqen. Dhe ndodh diçka tjetër, që personat të cilët janë të përfshirë, të tre: Igori e dy të tjerët, përtej Tatiana, Sergei edhe kush ishin, janë individë të cilët në vendin e tyre të origjinës, janë të gjithë nën akuzë, o ata, o bashkëpunëtorët e tyre për korrupsion. Po në lidhje me strukturën e armatimit. Pra gjithçka merr një lloj konfigurimi në kohë kur ti sheh dhe prejardhjen e këtyre individëve. Aty u përmend Somalia. Ne e dimë që Somalia është një vend konflikt i përhershëm, përsa i përket luftërave civile që janë aty. Është një vend që armët nevojiten, o për furnizim, o për eksport. Shqipëria cili është roli? Dhe pyetja më e madhe është: Roli i paketimit? Tani, a jemi vërtet vetëm paketim? A jemi diçka më shumë? Këtë do ta zbulojnë hetimet. Dhe ka dijeni apo s'ka dijeni?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco