Edi Rama këtë të premte ka marrë vendimin dhe ka njoftuar disa ndryshime në qeveri.
Besfort Lamallari, është shkarkuar nga Posti i Ministrisë së Brendshme dhe në vend të tij do të vendoset Ervin Demo, i cili deri më tani mbante postin e Ministrit për Çështjet Vendore.
Për pasojë, Edi Rama ka njoftuar se me ndryshimet e reja, nuk do të ketë më ministri për pushtetin vendor pasi do të bashkohet me Ministrinë e Brendshme.
“Sot kemi vendosur të bëjmë një lëvizje në skuadrën që është në fushë dhe Besforti, nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme, do të kalojë në stolin tim, së bashku me mua dhe ekipin në Kryeministri. Ndërkohë Ervini do të mbulojë punët e Brendshme, ku do të integrojmë edhe çështjet vendore. Diçka që nuk është e re për historikun e ministrisë, por pasi ka marrë një formë të plotë duke qenë veç, do të bëhet kalimi i një pjese të strukturës”, u shpreh Rama.
Në këtë mënyrë, çështjet vendore do të rikthehen nën përgjegjësinë e Ministrisë së Brendshme, ndërsa një pjesë e strukturave përkatëse pritet të integrohen në këtë dikaster.













