U zhduk në mes të ditës në Vlorë, Elvis Troqe shpallet i humbur nga Gjykata e Durrësit

U zhduk në mes të ditës në Vlorë, Elvis Troqe shpallet i humbur nga Gjykata e Durrësit

10:40, 11/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Elton Qyno - Syri.net/

Përmes një vendimi të marrë në 15 qershor 2026, gjykata e Vlorës ka vendosur të shpallë të zhdukur, Elvis Troqen.

Vendimi është marrë nga gjyqtari Ertil Meçaj, pas shqyrtimit të çështjes së regjistruar në këtë gjykatë më 2 maj 2025.

Në vendim gjykata ka caktuar që pronat e administruar nga Troqe, të kalojnë tek trashëgimtarja, nëna e tij.

Si u zhduk Elvis Troqe?

Elvis Troqe u zhduk më 17 korrik 2018, kur ishte 24 vjeç.

I riu sapo ishte kthyer nga Italia, ku kishte përfunduar një dënim për trafikim të lëndëve narkotike, dhe sipas raportimeve të kohës kishte planifikuar të niste një jetë të re në Vlorë.

Mbrëmjen e 17 korrikut, rreth orës 18:00, Troqe doli nga banesa për t’u takuar me një mik në bar-kafe “Havana”.

Pasi porositi një kafe dhe ujë, qëndroi vetëm pak minuta dhe i tha mikut se do të dilte për të takuar një person dhe do të kthehej shumë shpejt.

Por kjo ishte hera e fundit që familjarët dhe miqtë e tij patën kontakt me të.

Sipas pamjeve filmike të publikuara në atë kohë, jashtë lokalit e priste një automjet tip “Mercedes-Benz” me ngjyrë gri.

Troqe u pa duke përshëndetur drejtuesin dhe më pas hipi në automjet. Raportimet e kohës flisnin për dy persona në makinë.

Një tjetër automjet dyshohej se kishte monitoruar lëvizjet e tij përpara momentit kur u mor nga “Mercedesi”.

Automjeti u largua në drejtim të Lungomares dhe më pas, sipas rindërtimit të publikuar për ngjarjen, lëvizjet e tij u ndoqën deri pranë zonës së kompleksit “Oslo”, ku humbën gjurmët.

Që prej atij momenti, Elvis Troqe nuk u kthye më në lokal dhe as në banesën e tij.

Familja e kuptoi se diçka nuk shkonte kur orët kaluan dhe ai nuk u kthye.

Babai i tij, Krenar Troqe, doli për ta kërkuar nëpër qytet dhe më pas denoncoi zhdukjen në polici.

Në atë kohë, hetimet ngritën dyshime se bëhej fjalë për një rrëmbim dhe jo për një largim të vullnetshëm.

Pamjet e kamerave, ku shfaqej momenti kur Troqe hipte në automjet, u bënë pjesë e raportimeve mediatike mbi ngjarjen.

Hetimet u shtrinë edhe te personat dhe automjetet që dyshohej se kishin lidhje me ngjarjen.

Në materialet e publikuara vite më parë përmendet edhe arrestimi i një personi të identifikuar si pronar i automjetit ku Troqe ishte parë për herë të fundit, ndërsa një tjetër person u verifikua nga hetuesit.

Megjithatë, detajet e plota të hetimit nuk u bënë publike, pasi autoritetet e konsideronin çështjen nën hetim.

Tetë vite më pas, fati i Elvis Troqes vazhdon të mbetet i pazbardhur.

Gjykata e Vlorës, me vendimin e 15 qershorit 2026, e shpalli zyrtarisht të zhdukur dhe caktoi nënën e tij, Marsela Troqe, si kujdestare për administrimin e pasurive të tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco