Tonya Cross Hansel – The Conversation/
Në 25-vjetorin e sulmeve të 11 Shtatorit, shumë amerikanë do të ndalen për të kujtuar afro 3000 njerëzit që humbën jetën atë ditë. Sulmet u shndërruan në një tragjedi kombëtare që preku të gjithë vendin, shumë përtej atyre që e përjetuan drejtpërdrejt.
Pasojat e një katastrofe të tillë mund të ushtrojnë presion të jashtëzakonshëm mbi një komunitet. Kur pasojat zgjasin, mbështetja është e pamjaftueshme dhe dëmtohen strukturat ekonomike e shoqërore që e mbajnë një komunitet të bashkuar, marrëdhëniet mund të prishen, besimi mund të zbehet dhe mund të lindin konflikte. Studiuesit e katastrofave e përshkruajnë këtë dukuri si një “komunitet gërryes”.
Si studiuese e punës sociale që kam hulumtuar rimëkëmbjen pas katastrofave dhe kam punuar përkrah komuniteteve të prekura prej tyre për më shumë se dy dekada, kam parë edhe një anë tjetër të reagimit njerëzor ndaj katastrofave: mes vështirësive dhe humbjeve të mëdha, njerëzit kërkojnë lidhje me njëri-tjetrin dhe gjejnë forcë te komuniteti.
Çfarë ndodh pas një katastrofe
Një sondazh kombëtar i kryer menjëherë pas 11 Shtatorit tregoi se rreth gjysma e amerikanëve iu përgjigjën krizës duke dhënë para për bamirësi, ndërsa pothuajse një e katërta dhuruan ose u përpoqën të dhuronin gjak. Numri i njerëzve që u regjistruan si vullnetarë u rrit ndjeshëm.
Hulumtimi që kreva së bashku me kolegët mbi martesat dhe divorcet pas 11 Shtatorit ofroi një tjetër këndvështrim mbi pasojat e katastrofës. Ne shqyrtuam normat e divorceve në të 62 qarqet e Nju Jorkut, duke krahasuar katër vitet pas sulmeve me dekadën para tyre. Në tre prej këtyre katër viteve, normat e divorceve ishin dukshëm më të ulëta nga sa pritej. Edhe në vitin 2005, norma e divorceve në të gjithë shtetin mbeti rreth 8% më e ulët se sa do të parashikonte tendenca e dekadës së mëparshme.
Këto modele tregojnë diçka që e kam vërejtur gjatë dekadave të fundit: gjatë krizave që prekin të gjithë, njerëzit shpesh afrohen më shumë me familjen dhe marrëdhëniet shoqërore.
E pashë përsëri këtë prirje në vitin 2005, pas uraganit Katrina, i cili vrau afro 1400 njerëz dhe shkaktoi dëme prej më shumë se 125 miliardë dollarësh amerikanë, duke u bërë një nga fatkeqësitë natyrore më të kushtueshme në historinë e SHBA-së.
Mes shkatërrimit dhe zhvendosjes në përmasa të mëdha, familjet strehuan të afërmit e tyre, ndërsa vullnetarë dhe organizata nga i gjithë vendi u angazhuan për të ndihmuar. Në hulumtimin tonë me më shumë se 7200 fëmijë dhe adoleshentë nga komunitetet e Luizianës të prekura rëndë nga Katrina, zbuluam se dy vjet pas stuhisë, përjetime të tilla si ndarja nga familja dhe komuniteti ishin ndër faktorët që lidheshin me simptoma më të shumta të stresit post-traumatik. Në punën tonë me këshilluesit e krizave në Luiziana, zbuluam se njerëzit që kishin përjetuar vetë humbje të mëdha thoshin se u dukej e arsyeshme dhe shëruese kur ndihmonin të tjerët të rimëkëmbeshin.
Rimëkëmbja ndodh së bashku
Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) ka dokumentuar një rritje të ndjeshme të numrit të katastrofave që shkaktojnë dëme prej miliarda dollarësh gjatë dekadave të fundit. Në vitin 2024, viti i fundit për të cilin NOAA ka publikuar të dhëna, në SHBA pati 27 katastrofa të tilla, krahasuar me një mesatare prej rreth nëntë katastrofash në vit që nga viti 1980. Ndërsa këto ngjarje po bëhen më të shpeshta, kuptimi i asaj që i ndihmon komunitetet të rimëkëmben do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.
Për disa komunitete, si ato përgjatë bregdetit të Gjirit të Meksikës,katastrofat nuk janë ngjarje të izoluara, por përvoja që përsëriten. Pas derdhjes së naftës nga platforma Deep water Horizon në vitin 2010, derdhja më e madhe e naftës në det në historinë e SHBA-së, gjatë së cilës në Gjirin e Meksikës u derdhën 134 milionë galonë naftë, pyeta 41 banorë se çfarë këshille do t’u jepnin njerëzve të tjerë që përballeshin me kriza të ngjashme. Shumë prej tyre kishin përjetuar disa katastrofa, përfshirë uraganet Katrina, Rita dhe Gustav. Këshilla e tyre ishte e jashtëzakonshme në thjeshtësinë e saj: Mbështetuni te besimi juaj dhe gjeni forcë te komuniteti.
Vite më vonë, dëgjova të njëjtin mesazh mijëra kilometra larg, kur vizitova Havain pas zjarreve të vitit 2023 në Maui, të cilat shkatërruan qytetin Lahaina dhe vranë më shumë se 100 njerëz, duke u bërë zjarri më vdekjeprurës në SHBA në më shumë se një shekull. Gjatë hulumtimit për një libër mbi qëndrueshmërinë e komuniteteve, banorët nuk më folën për mbijetesën individuale, por për komunitetin dhe angazhimin e përbashkët për ta rindërtuar atë.
Këto ishin katastrofa, vende dhe dekada të ndryshme, por mesazhi ishte çuditërisht i njëjtë.
Komunitetet gërryese

Të njohësh forcën që ekziston brenda një komuniteti nuk do të thotë të minimizosh humbjet e tij apo të zvogëlosh përgjegjësinë për ta mbështetur. Njerëzit që po rimëkëmben nga një katastrofë kanë nevojë për strehim, ndihmë ekonomike, shërbime të shëndetit mendor dhe investime të vazhdueshme.
Pa burime të mjaftueshme për rindërtim, lidhjet që i ndihmojnë njerëzit të ecin përpara mund të vihen vetë nën presion, duke kontribuar në krijimin e një komuniteti gërryes.
Derdhja e naftës nga Exxon Valdez në vitin 1989 ishte një nga katastrofat më të mëdha mjedisore në historinë e SHBA-së. Ajo vrau qindra mijëra shpendë dhe kafshë të tjera të egra, si dhe miliarda vezë peshqish, duke i çuar drejt falimentimit familjet dhe bizneset që vareshin nga peshkimi. Pas katastrofës, komuniteti i Kordovës në Alaskë përjetoi vite humbjesh ekonomike, procese gjyqësore të zgjatura dhe pasiguri. Studiuesit dokumentuan rënien e besimit, dobësimin e lidhjeve shoqërore, konfliktet dhe pakësimin e popullsisë, pasoja që, në disa raste, vazhduan për dekada.
Mundësia që një komunitet të bëhet gërryes rritet kur rimëkëmbja zgjat shumë, burimet janë të pamjaftueshme ose shpërndahen në mënyrë të pabarabartë dhe besimi venitet. Komunitetet kanë më shumë gjasa të qëndrojnë të bashkuara kur mbështetja është e mjaftueshme, burimet shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe institucionet gëzojnë besimin e njerëzve.
Sipas vlerësimit tim, rimëkëmbja rrallëherë është një arritje individuale; ajo ndodh përmes familjeve, fqinjëve, organizatave komunitare, vullnetarëve dhe, ndonjëherë, edhe njerëzve të panjohur.
Çfarë zbulojnë katastrofat për ne
Shoqata Amerikane e Psikologjisë raporton se 62% e të rriturve i konsiderojnë përçarjet në shoqëri si një burim të rëndësishëm stresi. Dhe pavarësisht se jemi më të lidhur se kurrë përmes teknologjisë dhe rrjeteve sociale, rreth gjysma e amerikanëve shfaqin shenja vetmie.
Dallimet mes nesh nuk zhduken pas katastrofave, por njerëzit gjejnë mënyra për t’u lidhur me njëri-tjetrin pavarësisht tyre.
Një studim pas uraganit Maria, një stuhi e vitit 2017 që mendohet se vrau afro 3000 njerëz, zbuloi se të mbijetuarit u ofruan ndihmë njerëzve përtej rrethit të tyre shoqëror, duke kapërcyer ndarjet politike, ekonomike dhe fetare, madje edhe konfliktet e së kaluarës.
Solidariteti pas një katastrofe mund të jetë i përkohshëm, por ai zbulon diçka të qëndrueshme: aftësia jonë për t’u lidhur me njëri-tjetrin nuk lind vetëm kur një uragan godet, kur një zjarr pyjor përhapet apo kur ndodh një akt i paimagjinueshëm dhune si 11 Shtatori. Ajo aftësi ka qenë aty gjatë gjithë kohës.
Ndoshta ky është një nga mësimet më të rëndësishme që mund të nxjerrim nga një katastrofë: ajo na tregon se si të lidhemi me njëri-tjetrin edhe në ato momente të zakonshme të jetës, kur përballemi me sprova që na vënë në provë. /The Conversation – Syri.net
© SYRI.net