Gjykata e Shkodrës ka vendosur që të dërgojë prapa hekurave 25-vjeçarin Andri Vulaj i cili akuzohet për vrasjen e të riut Ylber Luli, ngjarje e ndodhur në orët e para të së martës, për motive të dobëta.
Në seancën gjyqësore të mbajtur në lidhje me vrasjen e Ylber Lulit raportohet se autori i dyshuar Andri Vulaj ka kyçur gojën para togave të zeza, në momentin kur gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ndërsa thuhet se ka qenë mbrojtja e tij, Arbër Raja i cili deklaroi se autori i dyshuar ka dëmtime me thikë në fytyrë, qafë dhe pjesën e krahut në njërën dorë, në bazë të të cilave ka kërkuar që situata të vlerësohet më tej për të kuptuar se si i janë bërë këto dëmtime të riut.
Nga ana tjetër, babai i viktimës Qamil Luli mësohet se ka thënë se në momentin e ngjarjes ai ka qenë në gjumë dhe ka dëgjuar zhurma nga sherri mes djalit të tij dhe autorit të dyshuar.
Po ashtu bëhet me dije se Qamil Luli ka pranuar para togave të zeza se kur ka parë zënkën mes dy të rinjve, ka qenë ai i pari që ka goditur me thikë autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili i është kundërpërgjigjur të birit duke e qëlluar me plumba në bark, që i morën dhe jetën.
Referuar hetimeve të bëra për zbardhjen e plotë të ngjarjes, organi i akuzës bën me dije se viktima Ylber Luli përms një mesazhi në telefon i ka kërkuar dy shokëve të tij që ta sjellin në shtëpi autorin Andri Vulaj, për t’u sqaruar për një konflikt të mëparshëm mes tyre.
Me të mbërritur në shtëpinë e viktimës, ka ndodhur konflikti mes dy të rinjve, të cilët fillimisht janë përleshur dhe pas plagosjes me thikë të Andri Vulaj, dyshohet se ky i fundit ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Ylber Lulit dhe babait të tij, duke lënë pas një të vdekur e dy të plagosur.
Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 24-vjeçari Ylber Luli nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spital. Ndërkohë, babai i tij, 63-vjeçari Qamil Luli dhe 25-vjeçari Andri Vulaj morën menjëherë ndihmë mjekësore dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Megjithatë, raportohet se autori i ngjarjes, 25-vjeçari Andri Vulaj ndodhet në gjendje të rëndë psikologjike për vrasjen e të riut e cila ndodhi për motive banale, për një debat mes dyshes shkaku i të cilës u bë një “Pse më sheh”.
Dy ditë pasi familja Luli i dha lamtumirën e fundit njërit prej tre djemve të saj, gjykata ka kërkuar që të dërgojë në qeli autorin e dyshuar të ngjarjes.

