Një dyqan në lagjen nr. 14 në Durrës është vënë nën hetim pasi tregtoheshin cigare dhe fishekzjarrë kontrabandë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Illegality”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Durrës ushtruan kontroll në ambientin që ishte në pronësi të 46-vjeçarit R. D., banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit u gjetën qindra paketa me cigare, si dhe fishekzjarrë të llojeve të ndryshme, të dyshuara si mallra kontrabandë. Sipas policisë, nga hetimet rezultoi gjithashtu se pronari dyshohet se fshihte të ardhurat e siguruara nga shitja e tyre.
Në përfundim të veprimeve, 46-vjeçari u arrestua në flagrancë. Ai akuzohet për kontrabandë me mallra që i nënshtrohen akcizës, tregtim, transportim dhe ruajtje të mallrave kontrabandë, si dhe për fshehje të të ardhurave dhe mospagim të taksave e tatimeve.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, ku do të vijojë procedura për veprimet e mëtejshme ligjore.












