Vdekja e Giorgos Mazonakis, kamerat zbulojnë një tjetër mister! Çfarë nuk përputhet në dëshmitë e mjekëve

11 Shtator 2026, 12:27Lifestyle TEMA
Vdekja e Giorgos Mazonakis, kamerat zbulojnë një tjetër mister!

Detaje të reja po dalin në dritë nga hetimi për vdekjen e këngëtarit të njohur grek Giorgos Mazonakis, i cili ndërroi jetë pasi pësoi arrest kardiak në një klinikë private në Athinë.

Në qendër të hetimit tashmë janë edhe pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat sipas autoriteteve greke kanë zbuluar një mospërputhje të rëndësishme në dëshmitë e dhëna nga mjekët e klinikës.

Sipas të dhënave të publikuara nga mediat greke, Mazonakis kishte mbërritur në klinikë rreth orës 13:00, ndërsa një prej mjekëve kishte deklaruar se këngëtari kishte shkuar aty rreth orës 16:00. Diferenca prej rreth tre orësh është bërë tashmë pjesë e hetimit, teksa autoritetet po përpiqen të rindërtojnë minutë pas minute atë që ndodhi para arrestimit kardiak.

Një tjetër element që ka ngritur pikëpyetje është pajisja e plazmaferezës. Sipas raportimeve të mediave greke, ekipet e shpëtimit që mbërritën në klinikë kanë konstatuar se pajisja ishte në funksion. Hetuesit po verifikojnë tani se kur ishte ndezur, nëse procedura kishte nisur dhe çfarë ndërhyrjesh ishin kryer para se këngëtari të pësonte arrest kardiak.

Gjatë kontrollit të klinikës, autoritetet gjetën gjithashtu dy pajisje për plazmaferezë, ndërsa u sekuestruan pajisje dixhitale, dokumente dhe materiale të tjera që mund të ndihmojnë hetimin.

Çështja e pajisjeve është veçanërisht e rëndësishme pasi autoritetet po shqyrtojnë nëse klinika kishte licencat e nevojshme për kryerjen e një procedure të tillë. Sipas autoriteteve shëndetësore greke, ambienti ishte i licencuar si një praktikë mjekësore dhe jo si klinikë e autorizuar për plazmaferezë. Mjekët, përmes avokatit të tyre, kanë kundërshtuar këtë version dhe kanë deklaruar se pajisjet ishin të deklaruara.

Ndërkohë, policia ka kontrolluar edhe banesën e dy mjekëve, ndërsa hetuesit po analizojnë materialet dixhitale të sekuestruara për të zbardhur plotësisht rrethanat e vdekjes.

Në dëshmitë e dhëna për hetuesit është përmendur edhe një plagë në kokën e këngëtarit. Sipas deklarimeve të publikuara në mediat greke, Mazonakis kishte thënë se ishte trullosur dhe ishte rrëzuar në shkallë teksa po dilte nga shtëpia. Autoritetet po verifikojnë edhe këtë detaj në kuadër të rindërtimit të ngjarjeve para se ai të mbërrinte në klinikë.

Dy mjekët që lidhen me klinikën janë arrestuar dhe ndaj tyre është hapur një dosje penale për ekspozim me pasojë vdekjen. Hetimi pritet të përcaktojë nëse ka pasur shkelje të rregullave mjekësore apo të licencimit dhe nëse ndonjë prej veprimeve të kryera në klinikë lidhet me vdekjen e këngëtarit.

Ndërkohë, shkaku përfundimtar i vdekjes ende nuk është përcaktuar. Autopsia e kryer më 11 shtator nuk dha një përfundim të qartë dhe priten analizat toksikologjike dhe ekzaminime të tjera laboratorike për të hedhur dritë mbi shkaqet e vdekjes së 54-vjeçarit.

Burimi: Euronews

Lini një Përgjigje