“Është familjar i kreut të SPAK”, kështu u shpreh këtë të premte kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, pak pasi vetë kreu i qeverisë, Edi Rama, njoftoi emërimin e Ervin Demos në krye të ministrisë së Brendshme.
Në një lidhje direkt për “Top News”, Bardhi foli për një sërë çështjesh, ku një prej tyre ka qenë edhe zhvillimi i orëve të fundit, ku kryeministri Rama shkarkoi nga posti i ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallarin, për t’ia dhënë këtë pozicion Ervin Demos, një prej njerëzve më të afërt të tij, i cili nga kryebashkiaku i Beratit, u bë pjesë e kabinetit qeveritar si ministër i Pushtetit Vendor, e tanimë edhe si i Brendshëm.
Sipas demokratit, Demo ka lidhje të afërta me kreun e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar, Klodian Braho duke i bërë thirrje këtij të fundit që të mbajë qëndrim dhe të mos ndikohet.
“Demo është ministër i Brendshëm pasi kështu ka vendosur aleanca e Valamarit. Braho të distancohet nga Ervin Demo dhe Rama dhe të lidhet me zbatimin e ligjit”, tha Bardhi këtë të premte.
Ndërkohë që kujtojmë se lajmi i shkarkimit të Lamallarit qarkulloi me shpejtësi në medie mëngjesin e sotëm, ndërkohë që pas disa minutash ishte vetë kryeministri Rama i cili përmes një video njoftoi dhe zhvillimet e fundit.
Ai bëri të ditur se Besfort Lamallari do të vazhdojë kontributin e tij në Kryeministri, pranë stafit të kryeministrit, ndërkohë që i uroi suksese Demos në postin e ministrit të Brendshëm.
Emërimi i Demos në një prej dikastereve më të rëndësishme të qeverisë është një tjetër hap në karrierën e tij politike, e cila vitet e fundit ka ardhur në rritje. Demo njihet si një nga njerëzit e punës dhe shumë pranë kreut të qeverisë, Edi Rama.
Vetë kryeministri nuk i ka kursyer lëvdatat dhe përgëzimet në publik për Demon, si gjatë periudhës kur ai drejtonte Bashkinë e Beratit, ashtu edhe më pas, kur e përfshiu në kabinetin qeveritar. Prej shtatorit të vitit 2025, Demo ka mbajtur detyrën e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, ndërsa tashmë është zyrtarisht pasuesi i Lamallarit në ministrinë e Brendshme.
Ervin Demo, i lindur në Berat në vitin 1982, ka një karrierë të shtrirë në disa fusha, nga arsimi i lartë te administrata publike dhe drejtimi vendor.
Përpara emërimit në qeveri, Demo ka shërbyer si Kryetar i Bashkisë së Beratit, detyrë që e mbajti në periudhën 2019-2025. Gjatë drejtimit të bashkisë, ai u angazhua në përmirësimin e shërbimeve publike, zhvillimin dhe transformimin urban të qytetit, forcimin e transparencës dhe nxitjen e pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje. Një tjetër fokus i punës së tij ka qenë zhvillimi i turizmit dhe promovimi i Beratit si një prej destinacioneve të rëndësishme turistike në vend.
Më herët, gjatë viteve 2017-2018, Ervin Demo ka mbajtur detyrën e Zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ndërsa në periudhën 2012–2016 ka qenë Zëvendësrektor i Universitetit të Tiranës.
Karriera e tij është e lidhur ngushtë edhe me botën akademike. Që prej vitit 2004, Demo është pedagog me kohë të plotë pranë Departamentit të Menaxhimit, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.
Studimet e larta i ka kryer në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka përfunduar ciklin Bachelor dhe Master. Më pas, ka ndjekur studime postdoktorale në Universitetin e Bolonjës, në Itali, duke u specializuar në fushën e menaxhimit dhe zhvillimit akademik.
