Nxënësit në Kamëz janë kthyer në qendër të një përplasjeje politike mes Partisë Demokratike dhe drejtuesve socialistë të zonës.
Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Marash Logu, akuzon drejtuesin politik të PS-së, Taulant Balla, dhe kryebashkiakun Rakip Suli se kanë përdorur rrjetin e qeverive të nxënësve për organizimin e një takimi politik, pak para nisjes së vitit të ri shkollor.
Sipas Logut, përfshirja e nxënësve në aktivitete politike nga funksionarë publikë është e paligjshme dhe përbën vepër penale. Për këtë arsye, ai kërkon që ndaj Ballës dhe Sulit të nisë ndjekja penale.
Në reagimin e tij, përfaqësuesi i PD-së pretendon se shkollat po trajtohen si struktura në funksion të Partisë Socialiste, ndërsa nxënësit si pjesëmarrës në aktivitete partiake.
Logu kërkon gjithashtu që Ministria e Arsimit, zyrat arsimore dhe drejtuesit e shkollave të distancohen nga aktivitete të tilla.
“Shkollat duhet t’i shërbejnë dijes dhe jo propagandës”, shkruan ai, duke kundërshtuar përdorimin e nxënësve në takime politike. Sipas Logut, ata nuk duhet të shërbejnë si “dekor” për fotografi apo si aset elektoral.












