Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Politologu i njohur kritikon reagimin e Ramës dhe Demos pas propozimit për ministër: Emërimi kalon nga Presidenti dhe Kuvendi

Shkruar nga Newsbomb
Politologu i njohur kritikon reagimin e Ramës dhe Demos pas propozimit
Momenti kur Rama prezanton ndryshimet në qeveri

Ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar të kryeministrit Edi Rama kanë sjellë reagime edhe në radhët e opinionit publik. Politologu Afrim Krasniqi ka kritikuar mënyrën se si u komunikua nga kryeministri Edi Rama propozimi i Ervin Demos për postin e ministrit të Brendshëm, duke vënë theksin te procedura kushtetuese që duhet të ndiqet për emërimin e një ministri.

Kritika e Krasniqit vjen pasi Demo falënderoi kryeministrin Edi Rama për besimin e dhënë, menjëherë pas njoftimit për propozimin e tij në krye të Ministrisë së Brendshme, duke shkarkuar Besfort Lamallarin. 

Sipas Krasniqit, propozimi i kryeministrit është vetëm një nga hallkat e procesit institucional dhe nuk e bën automatikisht një person ministër. Ai sjell në vëmendje procedurën e përcaktuar nga Kushtetuta, që përfshin dekretimin nga Presidenti i Republikës dhe shqyrtimin në Kuvend.

Në një reagim të gjatë në Facebook, politologu e përdor rastin për të ngritur një debat më të gjerë mbi funksionimin e institucioneve dhe raportin mes partisë, qeverisë dhe shtetit.

“Nga premtimi ‘ne bëjmë shtet’ te akti ‘shteti jam unë’”, e titullon Krasniqi reagimin e tij.

Ai rikujton sloganin “Ne bëjmë shtet”, të përdorur në të kaluarën nga socialistët, duke argumentuar se sot, sipas tij, vendimmarrja politike është përqendruar gjithnjë e më shumë te lideri i partisë.

Reagimi i plotë i Krasniqit:

Nga premtimi “ne bëjmë shtet“ te akti “shteti jam unë“

“Ne bëjmë shtet”, - ishte slogani kryesor në fjalimet me militantët votues. Funksionoi, natyrisht jo për shkak të sloganit, besimit dhe as për shkak se qytetarët votues e besuan ose e kërkuan këtë. Funksionoi më shumë për imazh publik, sidomos në kushtet kur Shqipëria kritikohej për nivel kritik të funksionalitetit të shtetit të së drejtës, korrupsion, personalizim pushteti dhe zhdukje të kufirit midis partisë e shtetit.

Pastaj Partia u mblodh në një hotel dhe u bë emërimi i ministrave. Njëri prej tyre mbeti i habitur kur u emërua, dhe kishte të drejtë. Nuk e dinte, nuk e meritonte, nuk e bënte dot. Pastaj të njëjtin e ndryshuan brenda pak muajsh dhe e çuan në ministri tjetër. Dështoi me sukses dhe siç ndodh me ministrat e shkarkuar, pas funksionit merren në punë në kryeministri, “pranë shefit“, një emërim garancie dhe imuniteti.

Pastaj shohim në mediat sociale se kryeministri ka shkarkuar ministrin e brendshëm, ka emëruar tjetrin dhe ka bashkuar dy ministri (d.m.th., duhen tre së paku dekrete shkarkim ministri (2) dhe bashkim/krijim ministrie e re me ministër të ri). Shqipëria ka një Kushtetutë, e cila përcakton se ministri quhet i tillë jo kur propozohet (jo emërohet) nga kryeministri ose partia, por kur dekretohet nga Presidenti, votohet në parlament dhe më pas betohet përpara Presidentit. Është proces, jo akt shokësh në facebook. Më 2004 parlamenti refuzoi disa dekrete ministrash të propozuar nga kryeministri, ndonëse ishin deputetët e së njëjtës parti. Por kishte parti, sot ka individ-lider që mbështetet në mënyrë të verbër nga një strukturë që zyrtarisht quhet parti. Nuk ka debat, zgjedhje, konkurrim.

Ja ku jemi: nga premtimi “ne bëjmë shtet“ kalohet te akti “shteti jam unë“. Nuk ka rëndësi Kushtetuta, nuk ka rëndësi procesi institucional, nuk ka rëndësi votimi në parlament, as dekretimi, as betimi, Partia të emëron, partia të shkarkon dhe kur themi partia nënkuptojmë shefin e saj. Dhe për ta plotësuar kuadrin, i shkarkuari (sipas Kushtetutës është ende ministër) është i kënaqur dhe merr emërimin e ri në kryeministri, i propozuari (i pa dekretuar, i pa votuar, i pa betuar) flet si ministër i ri në detyrë. Pa folur më pas për strukturën, pse duhej të kishim ministër shteti më 2025 kur e shkrin më 2026? Krijim ministrie për një person? Kur personi ndryshon post, shkrihen ministritë për të? etj, etj.

Shqipëria ka pasur dhe ka politikanë, parti, qeveri, ministra, zyrtarë të korruptuar, abuzive, etj, etj, por Shqipëria ka pasur dhe ka nevojë për shtetarë, për modele pozitive drejtimi, për respekt të Kushtetutës, ligjeve dhe integritetit në përfaqësim. Këto mungojnë ende dhe në fakt, vetëm këto mund të jetësonin premtimin e (ri)shkelur “ne bëjmë shtet“.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese