Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Shqipëria, prodhon apo jo armë?! Kontradiktat e ministrit, zëvendëses dhe administratorit të KAYO; Veliu e Abrazhda: Kemi zero mundësi (DEKLARATAT)

Shkruar nga Newsbomb
Shqipëria, prodhon apo jo armë?! Kontradiktat e ministrit,
Ilustrim fotografik: Biznesmeni izraelito-amerikan Ron Yeffet

Deklarata e ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, pesë muaj më parë se në vendin tonë prodhohen armë dhe për më tepër, këto armë janë në përdorim në vende të ndryshme në konflikt, si dhe përgjimet e publikuara nga politikani socialist në ekzil, Arben Ahmetaj, kanë shkaktuar kontradikta të forta në ministri dhe në kompanitë në varësi të saj.

"Kemi dhe shoqërinë Advanced Arms Technology, e cila prodhon armë dhe këto armë, siç e thashë edhe një herë, në përdorim sot, në konflikte diku. Jo patenta fiktive", deklaronte ministri Ermal Nufi nga foltorja e Kuvendit më 23 Prill 2026.

Deklaratë që për kohën kaloi në heshtje, ndërsa tani që përgjimet e pronarit të kompanisë Advanced Arms Technology, Ron Yeffet, kanë rrjedhur në media, shteti dhe ndërmarrja shtetërore KAYO janë zënë në befasi. Megjithatë, të gjithë po e largojnë përgjegjësinë nga vetja.

Ardi Veliu, administratori i shoqërisë shtetërore KAYO, është shprehur publikisht mbrëmjen e djeshme se vendi ynë ka "zero mundësi" për të prodhuar armë. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, ai tha se deklarata e Ron Yeffet me biznesmenë të dyshimtë ukrainas për trafik armësh, janë përgjegjësi e tij.

"Se çfarë thotë x apo y në jetën e tij private, kjo është përgjegjësi e atyre, jo e jona. Nuk jemi përfshirë në trafik armësh. Zero. Deri më tani përfshirja e KAYO-s është zero, se fabrikat që kemi marrë dhe i kemi në pronësi, aktiviteti është zero i prodhimit, nuk kemi asnjë lloj mundësie, qoftë dhe teorike, që t’i futemi këtij procesi", u shpreh Ardi Veliu.

Nën KAYO, janë krijuar të paktën dhe gjashtë kompani të tjera të cilat do të angazhohen në fushën e armatimit dhe mbrojtjes. Një ndër to, është edhe Advanced Arms Technology, me pronar biznesmenin izraelito-amerikano-shqiptar Ron Yeffet.

Deklarata e ministrit Ermal Nufi u hodh poshtë edhe nga zëvendësja e tij, zëvendësministrja e Mbrojtjes, Blerina Abrazhda, e cila në një intervistë mbrëmjen e djeshme për emisionin "Opinion", theksoi se në Shqipëri nuk ambalazhohen armë e as nuk prodhohen.

"Nuk ka ambalazhim të armëve në Shqipëri. Shqipëria sot nuk eksporton. Në dijeninë time se zëvendësministre dhe nga ajo që mund të gjeni nga eksporti i kontrollit, Shqipëria nuk eksporton armatim", u shpreh zëvendësministrja Blerina Abrazhda.

Ashtu si deklaratat e ministrit Nufi dhe biznesmenin Yeffet, edhe ato të bëra dje nga Veliu dhe Abrazhda, kanë shtuar më tepër dyshimet mbi atë se çfarë është në gjendje të bëjë ndërmarrja shtetërore KAYO dhe kompanitë e huaja të angazhuara për modernizimin e Ministrisë së Mbrojtjes, pikërisht për shkak të kontradiktave të forta mes drejtuesve të tyre.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese