Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Marash Logu, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, ka akuzuar drejtuesin politik të PS-së, Taulant Balla, dhe kryetarin e Bashkisë Kamëz, Rakip Suli, se kanë përfshirë qeveritë e nxënësve në organizimin e një takimi politik në prag të nisjes së vitit shkollor.
Logu thotë se përdorimi i nxënësve në aktivitete politike nga funksionarë publikë është i paligjshëm dhe kërkon që Balla e Suli të ndiqen penalisht.
Ai tehksoi se institucionet arsimore duhet të distancohen nga çdo aktivitet politik dhe shkollat duhet t’i shërbejnë dijes, jo propagandës së Partisë Socialiste.
Logu e ka cilësuar situatën si keqpërdorim të fëmijëve për interesa politike dhe ka paralajmëruar se “Kamza do të çlirohet shumë shpejt nga dyshja Balla-Suli”.
Postimi:
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli kanë ngarkuar rrjetin e qeverive të nxënësve për të organizuar një takim politik në prag të fillimit të vitit shkollor, duke i trajtuar shkollat si të ishin zyra të Partisë Socialiste, ndërsa nxënësit si të ishin militantë apo patronazhistë partie.
Detyrimi apo organizimi për të marrë pjesë në veprimtari politike i nxënësve të arsimit parauniversitar nga funksionarët publik përbën vepër penale, të dënueshme deri në tre vjet burgim. Taulant Balla dhe Rakip Suli duhet të ndiqen penalisht, ndërsa Ministria e Arsimit, Zyra Arsimore dhe shkollat duhet të distancohen publikisht nga aktivitete të tilla.
Shkollat duhet t’i shërbejnë dijes dhe jo propagandës. Nxënësit nuk janë dekor për takime politike, nuk janë turmë për fotografi, nuk janë aset elektoral për partinë në pushtet. Partia Demokratike dënon me forcë këtë sjellje të Taulant Ballës dhe Rakip Sulit, dhe fton qytetarët e Kamzës, prindërit, mësuesit dhe nxënësit që t’i japin përgjigjen e merituar kësaj dyshe banditësh që keqpërdorin fëmijët për qëllimet e tyre personale dhe politike.
Kamza do të çlirohet shumë shpejt nga dyshja Balla-Suli!
© SYRI.net