Shijak, kapet 19-vjeçari i shpallur në kërkim për plagosjen e rëndë të tre personave

11 Shtator 2026, 14:30Kronika TEMA
Shijak, kapet 19-vjeçari i shpallur në kërkim për

Finalizohet operacioni policor i koduar “Village”. I riu dyshohet se, në bashkëpunim me një tjetër person ende në kërkim, plagosi me mjete prerëse tre shtetas pas një konflikti për motive të dobëta.

Një 19-vjeçar i shpallur në kërkim për plagosjen e rëndë të tre personave është kapur nga Policia e Durrësit gjatë operacionit të koduar “Village”.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak dhe Njësinë Operacionale të DVP Durrës, pas informacioneve të siguruara për vendndodhjen e të riut, i cili fshihej në një fshat.

Në fshatin Pjezë, Shijak, shërbimet e Policisë kapën dhe ndaluan shtetasin L. C., 19 vjeç, banues në Shijak.

Sipas Policisë, i riu ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se, mbrëmjen e 26 korrikut 2026, në lagjen nr. 13, Durrës, në bashkëpunim me shtetasin M. H., i cili vijon të jetë në kërkim, kanë goditur me mjete prerëse tre shtetas.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, më 4 gusht 2026, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për L. C. dhe M. H., për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit M. H.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje