Sulmuesi i Hull City, Sorba Thomas, është përfshirë sot në një aksident rrugor pranë qendrës stërvitore të klubit në Cottingham.
Pamjet e automjetit të tij, i cili kishte përfunduar i përmbysur, qarkulluan në rrjetet sociale dhe shkaktuan shqetësim te tifozët e klubit anglez.
Megjithatë, lajmi i mirë është se 27-vjeçari ka dalë i padëmtuar nga aksidenti. Vetë Hull City ka konfirmuar se futbollisti nuk ka pësuar asnjë lëndim dhe ndodhet në gjendje të mirë.
“Me lehtësim, Hull City konfirmon se Sorba Thomas nuk ka pësuar lëndime pas një aksidenti rrugor pranë qendrës stërvitore të klubit në Cottingham.
Klubi është në dijeni të imazheve të makinës së Sorbës që po qarkullojnë në rrjetet sociale dhe mund t’i sigurojë tifozët se ai nuk ka pësuar asnjë lëndim dhe ka dalë nga automjeti plotësisht i padëmtuar”, thuhet në njoftimin e klubit.
Thomas iu bashkua Hull City në ditën e fundit të merkatos, me klubin anglez që pagoi rreth 9 milionë euro për kartonin e tij nga Stoke City.
Sulmuesi 27-vjeçar e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës në Angli, ndërsa përvoja e tij jashtë ishullit lidhet me Nantes në Francë.












