
Gjykata Administrative vendosi të premten që të pranojë kërkesën e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke urdhëruar Ministrinë e Financave dhe degën e Thesarit në Tiranë që të zhbllokojnë pagesat për punonjësit e kësaj gjykate.
Në padinë e saj, Gjykata e Posaçme kërkoi pezullimin e veprimeve administrative të ministrit të Financave, Petrit Malaj, i cili përmes një shkrese të datës 2 shtator, pezulloi urdhër-shpenzimet për listëpagesat e paraqitura nga gjithë institucionet e drejtësisë.
Në vendimin për pranimin e kërkesës për marrje sigurimi padie, përcaktohet se ky vendim është i ekzekutueshëm menjëherë nga palët e paditura, Ministria e Financave dhe Dega e Thesarit Tiranë. Në rast të moszbatimit vullnetar të vendimit gjyqësor, është ngarkuar shërbimi përmbarimor gjyqësor shtetëror ose ai privat, për të kryer ekzekutimin.
Ndaj këtij vendimi, lejohet ankim i veçantë në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda pesë ditëve nga marrja dijeni.
Në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë janë paraqitur kërkesa të njëjta dhe nga gjykatat e tjera, që pritet të shqyrtohen.
Një ditë më parë, kryetarët e 18 gjykatave të vendit dhe dy të shoqatave që përfaqësojnë gjyqtarët ee prokurorët, kallëzuan në Prokurorinë e Posaçme ministrin e Financave, Petrit Malaj dhe 15 zyrtarë të degëve të Thesarit, duke i akuzuar ata për bllokimin e pagesave të magjistratëve dhe administratës gjyqësorë për muajin gusht.
Në kallëzim kërkohet fillimi i hetimeve ndaj ministrit Malaj, drejtorit të Thesarit, Gentian Këri dhe 14 zyrtarëve të tjerë për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe pengimit të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.
Pas kryerjes së kallëzimit, reagoi kryeministri Edi Rama. Ai shkroi se në kallëzim mungonte vetëm emri i tij dhe ai i ministrit të Drejtësisë, duke shtuar ministri i Financave ishte konsultuar paraprakisht me skuadrat juridike të tyre, që kishin shprehur qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund trë hapë derën e thesarit të shtetit.
Një javë më parë, qeveria bllokoi pagat e gjyqtarëve, prokurorëve dhe të punonjësve të administratës së institucioneve të drejtësisë, pasi listë pagesat u dërguan bazuar në vendimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilat vendosën llogaritjen e pagave për shtatorin në përputhje me vendimin e marrë më 17 shkurt nga Gjykata Kushtetuese.
Pasi konstatuan se Kuvendi e zvarriti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dy Këshillat vlerësuan se vendimi ishte i detyrueshëm dhe përcaktuan rritjen me pagë bazë referuese prej 222 mijë lekësh dhe 14 mijë lekë për shtesën e kualifikimit. Sipas këshillave, rritja e pagës duhej te fillonte nga data 1 gusht. Po ashtu, u vendos që të kompesohej ulja e fshehur e pagës e realizuar me ligjin e mëparshëm të shfuqizuar ne muajin hskurt nga Gjykata Kushtetuese.
Për shkak te mosekzekutimit të kistëpagesave të pagave, ka pasur bojkotim të punës në disa gjykata. Për të trajtuar këtë situatë, kryetari i Gjykatës se Lartë, Sokol Sadushi thirri të enjten Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, që konkludoi me kërkesë për shlyerjen e menjëhershme të pagave, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.






