Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Nga Kuvendi zyrtarisht te Shëndetësia, ministrja Spahiu tregon prioritetet: Transformoj sistemin

Shkruar nga Newsbomb
Nga Kuvendi zyrtarisht te Shëndetësia, ministrja Spahiu tregon
Klodiana Spahiu, ministre e Shëndetësisë

Klodiana Spahiu ka marrë zyrtarisht detyrën e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Në reagimin e saj të parë pas marrjes së detyrës, ish-nënkryetarja e Kuvendit falënderoi kryeministrin Edi Rama për besimin e dhënë, si dhe kolegët e Grupit Parlamentar Socialist për votën në mbështetje të dekretit të Presidentit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spahiu renditi edhe disa prej prioriteteve që synon të ndjekë në drejtimin e ministrisë. Transformimi i shërbimeve mjekësore, përmirësimi i infrastrukturës spitalore dhe rritja e cilësisë dhe aksesit në shërbimet shëndetësore e sociale janë ndër objektivat e deklaruara prej saj.

Ministrja e re theksoi se qytetari do të jetë në qendër të politikave dhe vendimmarrjes, ndërsa marrjen e detyrës e cilësoi jo vetëm si një përgjegjësi, por edhe si një “mision” për të vijuar reformat në sektorin e shëndetësisë.

Në postimin e saj në Facebook, Spahiu shkruan:

“Jam shumë e nderuar që, nga sot, marr zyrtarisht detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Në këtë moment të rëndësishëm dua të shpreh mirënjohjen time të veçantë për Kryeministrin Edi Rama, për besimin e dhënë, si dhe për kolegët e Grupit Parlamentar Socialist, të cilët votuan pro dekretit të Presidentit për emërimin tim në këtë detyrë me përgjegjësi të madhe.

E marr këtë detyrë me shumë përgjegjësi, por edhe me besimin se mund të kontribuoj për të çuar më tej punën dhe reformat e ndërmarra në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.

Shëndetësia ka qenë gjithmonë një fushë me të cilën kam qenë dhe mbetem shumë e lidhur. Prandaj, kjo detyrë për mua nuk është thjesht një përgjegjësi e re, por një mision dhe një ambicie për të vijuar me energji rrugën e reformave.

Objektivi ynë është i qartë: transformimi i shërbimeve mjekësore, përmirësimi i infrastrukturës spitalore, rritja e cilësisë dhe aksesit në shërbimet shëndetësore dhe sociale, duke vendosur gjithmonë qytetarin në qendër të çdo politike dhe vendimmarrjeje.

Marrja e kësaj detyre përkon edhe me nisjen e një Sesioni të ri parlamentar, në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, kur jemi më pranë se kurrë objektivit tonë madhor: anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Me përkushtim, përgjegjësi dhe punë do të vijojmë së bashku këtë rrugëtim, për një sistem shëndetësor modern, cilësor, të aksesueshëm dhe dinjitoz për çdo qytetar.

Faleminderit për besimin!”

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese