Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka njoftuar se të hënën do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese një padi kundër rregullores së re të GJKKO-së, që prek gazetarët.
Përmes një njoftimi AGSH, shprehet se kërkesa do të depozitohet në orën 10:00 dhe synon fillimisht pezullimin e rregullores dhe më pas shpalljen e saj si antikushtetuese.
Rregullorja e re e GJJKO-së ka prekur edhe gazetarët, pasi ka ndaluar praninë e mediave në këtë institucion, duke ngushtuar edhe më tej hapësirën për informimin e publikut. Po ashtu, rregullorja ka sjellë edhe mbylljen e grupit ekzistues në WhatsApp, përmes të cilit gazetarët merrnin informacion.
“Të hënën në orën 10:00 Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të pezulluar e më pas shpalljen antikushtetuese të rregullores së Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i përket pjesës së mediave dhe gazetarëve”, njofton Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.
