Opozita ka zyrtarizuar kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së kompanisë shtetërore “KAYO” sh.a., duke ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi marrëveshjet, fondet publike dhe aktivitetin e saj në fushën e armëve dhe pajisjeve ushtarake.
Në shkresën e PD, thuhet se Komisioni Hetimor propozohet të ketë një afat veprimtarie 6 mujore dhe të përbërhet nga 15 deputetë.
Opozita kërkon gjithashtu të verifikojë aktivitetin e kompanisë mëmë “KAYO” dhe shoqërive të saj bija në lidhje me prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.
Në kërkesën për Komision Hetimor është përfshirë edhe verifikimi i dyshimeve për krijimin e një skeme të trafikut ndërkombëtar të armëve, të cilat opozita i lidh me audiopërgjime të bëra publike nga ish-numri dy i qeverisë Rama, Arben Ahmetaj.
Njoftimi i Grupit te PD
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë dhe Grupi Parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, kanë zyrtarizuar kërkesën e tyre të përbashkët për ngritjen e një Komisioni Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së Shoqërisë “KAYO” sh.a., në drejtim të marrëveshjeve të bashkëpunimit, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.
Komisioni Hetimor propozohet të ketë një afat veprimtarie 6 mujore dhe të përbërhet nga 15 deputetë.
Deputetët e opozitës kanë përcaktuar edhe objektin e veprimtarisë së Komisionit Hetimor, që do të jetë:
-Kontrollin e ligjshmërisë të marrëveshjeve të bashkëpunimit të lidhura ndërmjet shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., dhe palëve të treta;
– Verifikimin e procesit të përzgjedhjes, negocimit dhe miratimit të marrëdhënieve kontraktuale me subjektet tregtare të tjera;
– Kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të shoqërive mëmë “KAYO” sh.a., dhe shoqërive bija të saj, në drejtim të prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake;
-Verifikimin e procedurave për alokimin dhe përdorimin e fondeve nga Buxheti i Shtetit;
-Verifikimin e dyshimeve për krijimin e një skeme të trafikut ndërkombëtar të armëve, sipas audiopërgjimeve të bëra publike;
– Vlerësimin e përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga Traktati i Atlantikut të Veriut (NATO);
– Identifikimin e shkeljeve dhe parregullsive të mundshme në administrimin e shoqërisë “KAYO” sh.a., shoqërive bija dhe fondeve publike, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale;
– Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, llogaridhënies, konkurrencës dhe transparencës në veprimtarinë e shoqërisë mëmë “KAYO” sh.a., dhe shoqërive bija të saj, në përputhje me parimin e shtetit të së drejtës dhe mbikëqyrjes parlamentare.












