Dy mjekët e klinikës private në Athinë, ku humbi jetën këngëtari i njohur grek Giorgos Mazonakis, janë arrestuar nga policia greke.
Sipas mediave të hauja, bëhet fjalë për Elias Theodoropoulos dhe Ioanna Gaka, ndaj të cilëve është ngritur një padi për ekspozim me pasojë vdekjen, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat në të cilat këngëtari humbi jetën.
Mazonakis shkoi në klinikën private në rrugën Karneadou, në Kolonaki, për të kryer një trajtim të planifikuar. Gjatë qëndrimit në klinikë, gjendja e tij u përkeqësua dhe ai pësoi arrest kardiak.
Mjekët ndërhynë për ta reanimuar, ndërsa u thirr edhe ambulanca. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, këngëtari humbi jetën brenda klinikës.
Vdekja e papritur ngriti pikëpyetje mbi trajtimin që iu krye dhe mënyrën se si u menaxhua gjendja e tij në minutat e fundit. Për këtë arsye, autoritetet greke nisën një hetim dhe mbrëmjen e djeshme kryen kontrolle në klinikë, duke mbledhur dokumente dhe prova që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Në kuadër të hetimit janë arrestuar dy mjekët që ndodheshin në klinikë.
Në dosjen hetimore ende nuk është përfshirë raporti mjeko-ligjor. Autopsia e trupit të këngëtarit pritet të japë më shumë të dhëna për shkakun e vdekjes dhe për të përcaktuar nëse ka ndonjë lidhje mes trajtimit të marrë në klinikë dhe përkeqësimit të gjendjes së tij.













