E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Pagat e gjyqtarëve/ Rama për vendimin e Gjykatës Administrative: Thesari hapet vetëm me vendim të Kuvendit

Ilustrim · Vizion Plus

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Administrative për rritjen e pagave të gjyqtarëve, duke e cilësuar vendimin si shqetësues.

Rama shkruan në një postim në X se gjykata vepruar me shpejtësi të pazakontë për një çështje që prek drejtpërdrejt interesin publik.

Kryeministri  thekson se hapja e fondeve nga thesari i shtetit duhet të bëhet përmes Kuvendit dhe paralajmëron se mazhoranca do të trajtojë çështjen në seancën e 17 shtatorit, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Rama ka bërë publike edhe faturën financiare të kërkesave të magjistratëve

POSTIMI I RAMËS:

Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysëm rroge gjykatësve…

Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cënon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!

Ja edhe në tabelën bashkëngjitur çfarë kërkon Gjykata Administrative në dyert e thesarit të shtetit pa kaluar fare nga parlamenti, ndërkohë që e përsëris: Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator.

Redaksia Web
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh