Brenda ditës së sotme Gjykata Administrative mësohet se ka pranuar kërkesën e Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Durrësit për sigurimin e padisë të bërë ndaj Ministrisë së Financave pas bllokimit të pagave të magjistratëve dhe administratës së gjyqësorit. Ndërsa raportohet se Administrativja ka arritur të zhbllokojë pagat e magjistratëve duke rrëzuar kështu vendimin e Ministrisë së Financave të firmosur nga ministri Petrit Malaj, dhe Degës së Thesarit Tiranë.
Në padinë e depozituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë nënvizohet se Ministria e Financave po krijon një “precedent antikushtetues të vetëgjyqësisë institucionale”, ndërsa pasojat për funksionimin e gjyqësorit përshkruhen si “destabilitet” i shkaktuar artificialisht.
Apeli i GJKKO-së akuzon se Ministria e Financave dhe Thesari kanë vepruar përtej kompetencave të kontrollit financiar, duke ndërhyrë në një fushë që përket pushtetit gjyqësor.
Në lidhje me situatën e krijuar nga bllokimi i pagave të magjistratëve ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama i cili shkruan se e gjitha do të diskutohet në seancën e radhës në Parlament, të enjten e ardhshme, më 17 shtator.


