Dialog me mbesën

Dialog me mbesën

Nga Agim Xhafka - 11/09/2026

Dje mes minutave të një dremitje dreke më ra zilja e celularit. I hodha një gjysëm sy sa për të ditur kush qe se meazallah do e hapja. Por më doli ‘Jeta ime’, kështu ia kam vënë emrin në telefon mbesës. E hapa vrik.

-O gjysh, a të të bëj ca pyetje? Se filluam shkollën e kam një projekt.

Nga që unë përherë them po s’priti përgjigje, ia nisi.

-Keni pasur ju të drejta themelore para viteve ‘90? Në kohën e diktaturës dmth?

-Po, mi gocë kemi pasur. Kemi pasur plot, plot,-i thashë.

Dhe po mendoja me këtë rast të bëja një bisedë me kuptim për ato mote tmerri. Që mbesa të ndërtonte peizazhin social ku jetuam. Ajo është adoleshente dhe do shpjegime konkrete, me shembuj, si psh kur i sqarova një ditë inflacionin. I tregova një garuzhde me vrima dhe i thashë, këtë do e mbushim me supë. Po supa do të rrjedhë, tha ajo. Sigurisht dhe pjesa që rrjedh është inflacioni, supa që ngelet është rroga reale e shqiptarëve. Kështu ia ngulita në tru.

-Ia nisim me të drejtën e lëvizjes. E keni pasur ju këtë të drejtë? -më bëri pyetjen e parë.

-Po, e kemi pasur. Nuk na ndalonte askush të ecnim psh nga kuzhina në banjë. Ose anasjelltas. Lëviznim pa i marrë leje kujt dhe fare pa vizë.

-O gjysh, mos u tall tani! A shkonit jashtë atdheut e kisha fjalën?

-Si nuk shkonim, moj, kudo bridhnim nëpër glob,-i thashë. -Kishte televizioni ynë një emision ‘Vende dhe Popuj’. Na tregonte të gjithë shtetet e botës. E vërteta qe që më shumë ‘lëviznim’ në Afrikë. Ende e di në pëllëmbë të dorës psh Angolën, Nigerinë, Kongon.

-O gjysh, po mos u tall të thashë! Pasaporta shqiptare ato vite çfarë ngjyre kishte?

-Kishte ngjyrë patjetër. Me ngjyrë ishte. Po ja të pyes Bedriun e të them.

-Pse ti nuk e mban mend?

-Nuk e mbaj mend se gjithë populli nuk kishte pasaporta. Bedriu kishte se punonte shofer në ambasadë në Romë.

-Po të drejta banimi a kishit ju?

Ajo lexonte në libër një për një të drejtat e njeriut dhe më pyeste mua.

-Kishim si jo, se ne nuk flinim jashtë ose nëpër pemë si majmunët.

-Në sa metër katror jetoje o gjysh deri sa bleve këtë shtëpi ku je tani?

-Në pak metër, bijë. Konkretisht banesa ishte aq sa kemi sot dy garazhet te kati poshtë në pallat.

-O gjysh, mos u tall! Po fundjavave si argëtoheshit, nga shkonit?

-Në fshatra zemër, në fshatra. Çdo të dielë, nuk mungonim kurrë. Bridhnim çdo javë fup këtu e fup atje.

-Te cilët restorante, a kujton ndonjë?

-Më shumë frekuentonim restorantin ‘Misri’, pub ‘Patatja’ dhe bar-kafe  ‘Kanali’.

Por nuk e lashë të pyeste ku qenë konkretisht këto lokale. I shpjegova që e shtuna atëherë s’qe pushim. Dhe shkollat bënin mësim atë ditë. E diela quhej pushim, por në fakt na çonin në aksion për korrje dhe zhveshje misri, për hapje kanalesh ose për shkulje patatesh. Heshti ca sekonda. Po e ndërtonte në përfytyrimin e saj atë kohë ndaj më bëri pyetjen e fundit:

-Po mirë, ju nuk kishit asnjë të drejtë? Asnjë?

Heshta punë sekondash. Po mendoja që t’i jepja një përgjigje me brumë. Dhe e gjeta.

-Kishim, kishim një të drejtë të madhe që si popull e shfrytëzuam shumë, për asnjë çast nuk e harruam.

-E cila qe?

-Qe e drejta për të heshtur. E zbatuam me përpikmëri, si sahat zvicerian.

Nuk vazhdova ligjëratën, ajo e kishte mbyllur celularin. Ndaj atë çast mbylla sytë dhe unë e kujtova gjysmën e jetës sime. Atë gjysëm që vite e nëpër vite mora frymë me gojën mbyllur…

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco