11 shtatori/ Trump: Nuk do të harrohet kurrë! 25 vitet që pasuan treguan fuqinë e Amerikës për të triumfuar dhe fituar

11 shtatori/ Trump: Nuk do të harrohet kurrë! 25 vitet që pasuan treguan fuqinë e Amerikës për të triumfuar dhe fituar

17:33, 11/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti Donald Trump deklaroi të premten në Pentagon se fryma e fuqishme amerikane, e cila ka qëndruar e fortë gjatë 25 viteve që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, tregon se “vendi ynë është më i fortë se kurrë më parë”.

“11 Shtatori na kujtoi fuqinë e tmerrshme të urrejtjes. Ndërsa 25 vitet që pasuan na kanë treguar fuqinë edhe më të madhe të shpirtit amerikan për të duruar, për të triumfuar dhe për të fituar,” tha Trump gjatë homazheve në Pentagon. “Dhe sot, vendi ynë është më i fortë se kurrë më parë. Nuk ka qenë kurrë kaq e fortë sa është tani.”

“Falë kësaj fryme, kur brezat e ardhshëm të vijnë këtu pas 25, 100 apo 250 vitesh, ata do të qëndrojnë në një komb që është i lirë dhe i palëkundur përballë së keqes. Ata do të vazhdojnë të nderojnë heronjtë e 11 Shtatorit, të cilët asnjë epokë nuk do t’i fshijë nga kujtesa e historisë,” shtoi Trump. “Nuk do të harrohet kurrë, kurrë. Nuk do të harrohet kurrë. Dhe ne nuk mund të harrojmë kurrë. Zoti i bekoftë familjet e viktimave të 11 Shtatorit. Zoti i bekoftë ekipet tona të jashtëzakonshme, të guximshme dhe heroike të emergjencës. Zoti e bekoftë ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe Zoti e bekoftë Amerikën,” shkruan FoxNews. 

Ceremonite

Shtetet e Bashkuara përkujtojnë sot 25-vjetorin e tragjedisë së 11 Shtatorit 2001, ku humbën jetën afro 3,000 persona.

Ngjarja e zezë që ndryshoi botën pasoi marrjen peng të katër avionëve pasagjerësh nga pjesëtarë të Al-Kaedës, dy prej të cilëve u përplasën mbi Kullat Binjake në Nju-Jork, një tjetër goditi ndërtesën e Pentagonit, ndërsa i katërti u rrëzua në një fushë në Pensilvani pas reagimit heroik të pasagjerëve.

Ceremonitë përkujtimore nisën në Nju-Jork, në zonën e “Ground Zero”, ku merr pjesë Zëvendëspresidenti JD Vance. Në të pritet të marrin pjesë edhe ish-presidentët Joe Biden, Barack Obama, Bill Clinton dhe George W. Bush. Nën tingujt e kambanave dhe minutave të heshtjes, aty po lexohen emrat e të gjitha viktimave. 

 Ndërkohë, Presidenti Donald Trump po nderon viktimat në një ceremoni zyrtare nga ndërtesa e Pentagonit në Virxhinia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco