Banorët e Memaliajt dhe kryetari i bashkisë Albert Malaj braktisën dëgjesën publike organizuar pasditen e sotme për reformën e re Administrative-Territoriale të propozuar nga qeveria Rama.
Së bashku me banorët ai kundërshton çdo skenar që mund të çojë në shkrirjen e Bashkisë Memaliaj apo largimin e shërbimeve nga territori.
Ata kërkojnë që Bashkia Memaliaj të ruhet si njësi administrative më vete, duke argumentuar se ndryshimi i kufijve administrativë do të rrezikonte të thellonte shpopullimin dhe të largonte institucionet nga qytetarët.
Ata këshilltarë janë mbledhur sa e dëgjuan në televizor që shkoi drafti në parlament, u ngritën nuk pritën as draftin por unanimisht dolën e morën vendim. Të djathtët erdhën për 5 minuta, të majtët vetëm presin urdhra. Nuk kanë fuqi i kuptoj, tha Malaj.
Ndryshe nga dëgjesat e zhvilluara në bashkitë e tjera, ku këshilltarët bashkiakë (Shenim: Keshilli bashkiak dominohet nga shumica socialiste) janë bërë pjesë e kundërshtimit të reformes, në Memaliaj anëtarët socialistë Këshillit Bashkiak u përballën me kryebashkiakun Albert Malaj dhe me qytetarët.
Debati u tensionua në sallë, ndërsa banorët u rreshtuan në krah të kryebashkiakut. Në kulmin e përplasjes, Albert Malaj u largua nga dëgjesa, ndërsa pas tij u larguan edhe të gjithë banorët e pranishëm në sallë.
Kundërshtimi ndaj Reformës Administrative-Territoriale është shprehur edhe nga banorët e Njësive Administrative Krahës, Qesarat, Buz dhe Luftinjë, të cilët kërkojnë ruajtjen e Bashkisë Memaliaj dhe shërbimeve publike pranë qytetarëve.
© SYRI.net