Lajmi i papritur vjen nga Kosova. Amir Rrahmani ka vendosur që të largohet nga përfaqësuesja dardane, pas 10 vitesh. Njoftimin e ka bërë vetë ish-kapiteni me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Qendërmbrojtësi 32-vjeçar akuzon hapur Federatën e Futbollit të Kosovës, duke theksuar se personat që e drejtojnë, e çuan në këtë vendim. Ndër të tjera, Rrahmani thotë se ka marrë sulme të shumta për 2 vite, nga ata që sipas tij duhet ta mbronin.
POSTIMI I RRAHMANIT:
Tifozë të vërtetë të Kosovës. Pas 10 viteve në Kombëtare nga të cilat 7 vite si kapiten ju njoftoj se nuk do të jem më pjesë e Kombëtares së Kosovës përderisa FFK-në e udhëheqin personat aktual.
Për shkak të shumë faktorëve, kundërshtimeve të vazhdueshme dhe mungesës së njerëzve kompetentë për të adresuar problemet dhe ankesat tona, situata ka mbetur pa përmirësime për shumë vite.
Dhe çka mora në këmbim? Sulme të vazhdueshme dhe të koordinuara për më shumë se dy vite nga ata të cilët do të duhej të na mbronin.
Drejtësia do t’a vërtetojë një ditë.
KY VENDIM VJEN NGA NEVOJA PËR TË RUAJTUR INTEGRITETIN TIM SI KAPITEN DHE FUTBOLLIST PROFESIONIST, POR MBI TË GJITHA VLERAT E MIA SI NJERI. I juaji, Amir Rrahmani.
