Është mbyllur mbrëmjen e sotme protesta e 104-të kundër qeverisë në Tiranë, pas disa orësh marshim dhe tubim në rrugët e kryeqytetit.
Protestuesit e nisën marshimin nga sheshi ‘Skënderbej’, duke vijuar drejt Kryeministrisë, ku u zhvillua tubimi kryesor. Më pas, protesta vijoi drejt Ambasadës së Malit të Zi, në shenjë proteste ndaj ndalimit të autokolonës me shqiptarë të diasporës në Nikshiq.
Gjatë protestës u dëgjuan thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Protestuesit kërkuan gjithashtu arrestimin e Ramës dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në përfundim të tubimit, protestuesit paralajmëruan vijimin e aksionit opozitar, duke e mbyllur protestën me thirrjen: ‘Nesër më shumë!’
Ndërkohë, vëmendja tashmë është zhvendosur te protesta e së shtunës, e cila pritet të jetë një tubim kombëtar.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, ndërsa në protestë do të marrin pjesë edhe shqiptarë nga diaspora që kanë udhëtuar drejt Shqipërisë.
© SYRI.net