A e ka marrë përsëri Allajbeu konçensionin?/ Diaverum fiton tenderin e dializës, grupi zotëron edhe DiaVita-n e PPP

A e ka marrë përsëri Allajbeu konçensionin?/ Diaverum fiton tenderin e dializës, grupi zotëron edhe DiaVita-n e PPP

19:37, 11/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Monitor.al

Diaverum AB është shpallur fituese e tenderit për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë spitale rajonale, me një ofertë prej 4.44 miliardë lekësh pa TVSH për katër vitet në vijim. Kompania ishte ofertuesi i vetëm në procedurë.

Fituesi lidhet drejtpërdrejt edhe me kompaninë që ka ofruar deri më tani këtë shërbim përmes koncesionit/Partneritetit Publik Privat. Diaverum international AB është zotëruesja e DiaVita sh.p.k., në pronësi te Klod Allajbeut, shoqëria koncesionare e krijuar për zbatimin e kontratës së hemodializës në spitalet e Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit. Sipas të dhënave të QKB-së, Diaverum international AB është shoqëria mëmë dhe zotëron DiaVita-n.

DiaVita ishte krijuar fillimisht nga bashkimi i Evita sh.p.k. dhe Spitalit Amerikan, të cilët fituan tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për ofrimin e hemodializës sipas modelit PPP. Kontrata u nënshkrua në shkurt 2016 dhe kishte një kohëzgjatje 10-vjeçare.

Në vitin 2019, Diaverum international AB bleu 100% të kapitalit të DiaVita-s, duke marrë 85% të aksioneve nga Evita dhe 15% nga American Hospital. Transaksioni solli kalimin e plotë të shoqërisë koncesionare nën kontrollin e grupit suedez.

Kjo do të thotë se, ndonëse forma e kontraktimit ndryshon nga PPP-ja e mëparshme në një tender të ri shërbimi, shërbimi i hemodializës do të vijojë të ofrohet nga një kompani e lidhur me grupin që kontrollonte edhe koncesionarin ekzistues DiaVita.

Tenderi është zhvilluar nga Operatori i Shërbimeve të integruara të Sterilizimit dhe përfshin shërbimin e hemodializës në qendrat e ngritura pranë spitaleve të Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit. Marrëveshja kuadër parashikohet të zgjasë 48 muaj.

Fondi limit i procedurës ishte 4.59 miliardë lekë, ndërsa Diaverum AB paraqiti një ofertë prej 4,440,664,800 lekësh pa TVSH. Fituesi u shpall më 10 shtator 2026. Në procedurë nuk pati operatorë të skualifikuar, pasi Diaverum ishte i vetmi ofertues.

Procedura ishte shpallur më 17 gusht dhe ofertat u pranuan deri më 1 shtator. Autoriteti kontraktor kishte vendosur një afat prej 15 ditësh për dorëzimin e ofertave, duke e argumentuar shkurtimin me nevojën për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit të hemodializës pas përfundimit të kontratës ekzistuese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco