Një 41-vjeçar shqiptar, i cili ndodhej në burg në Greqi, është arratisur gjatë transportimit nga burgu i Nigritës drejt Spitalit të Përgjithshëm të Serres.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 të së premtes, në ambientet e jashtme të spitalit, pranë repartit psikiatrik. Në automjetin e transportit ndodheshin i burgosuri dhe dy punonjës që e shoqëronin.
Sipas raportimeve të mediave greke, në momentin kur automjeti ndodhej pranë spitalit, dy makina të ngjashme me automjetet e policisë janë afruar pranë tij. Persona të armatosur kanë zbritur nga mjetet dhe, nën kërcënimin e armëve, kanë neutralizuar dy punonjësit që shoqëronin të burgosurin.
Më pas, autorët kanë ndihmuar 41-vjeçarin të largohej nga vendi i ngjarjes. Ata dyshohet se kanë marrë me vete edhe armën e shërbimit të një prej punonjësve të burgut.
Grupi është larguar më pas me dy automjetet dhe ka humbur gjurmët.
I arrestuar për tentativë vrasjeje
Sipas mediave greke, i arratisuri shqiptar ishte arrestuar vitin e kaluar nga strukturat e Krimit të Organizuar për një çështje që lidhej me tentativë vrasjeje në Selanik.
Ngjarja për të cilën dyshohet se ishte përfshirë kishte ndodhur në një kioskë ushqimore. Autoritetet greke e kanë lidhur gjithashtu emrin e tij me çështje që kanë të bëjnë me armët dhe trafikun e narkotikëve.
Pas arratisjes, autoritetet greke kanë ngritur alarmin dhe kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e 41-vjeçarit, si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të armatosur që dyshohet se organizuan dhe realizuan arratisjen.












