Vetëm pak minuta pasi mori zyrtarisht detyrën si ministre e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu ka firmosur largimin e Arisa Canes, drejtoreshës së Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit (OSHIS), institucion që menaxhon buxhete të konsiderueshme për shërbimet e sterilizimit, check-up-it dhe dializës.
Sipas “Kapitalit”, Cane ishte emëruar në krye të OSHIS në fillim të këtij viti nga ish-ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala.
Gjatë periudhës së saj në detyrë, Cane ka administruar një buxhet prej dhjetëra milionë eurosh, ndërsa një prej procedurave më të mëdha ishte tenderi për ofrimin e shërbimit të dializës për katër vitet e ardhshme.
Tenderi 48.2 milionë euro
Pak minuta para largimit të saj, Cane shpalli fituesin e procedurës së tenderimit për shërbimin e dializës.
Sipas të dhënave të publikuara nga “Kapitali”, kompania suedeze Diaverum, e cila ishte edhe pjesëmarrësja e vetme në garë, u shpall fituese me një ofertë prej 4.44 miliardë lekësh, ose rreth 48.2 milionë euro.
Burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë, të cituara nga “Kapitali”, pretendojnë se kjo procedurë është një nga arsyet e largimit të Canes. Sipas këtyre burimeve, ministrja e re ka kërkuar që procedura të kalojë në një hetim të brendshëm, ndërsa thuhet se nuk ka qenë dakord që një kontratë e përmasave të tilla të përmbyllej pa miratimin e saj.
Përplasje për tenderat dhe buxhetet
Sipas burimeve të cituara nga “Kapitali”, ndryshimi i drejtimit në Ministrinë e Shëndetësisë pritet të shoqërohet me një kontroll më të imtësishëm të procedurave të tenderimit dhe menaxhimit të buxheteve të mëdha.
Media e interpreton shkarkimin e Canes si pjesë të një përplasjeje për kontrollin e fondeve dhe kontratave të mëdha në sektorin e shëndetësisë.
Arisa Cane u largua nga detyra vetëm pak minuta pasi procedura për tenderin e dializës u finalizua me shpalljen e fituesit. Ndërkohë, sipas burimeve të cituara, procedura pritet të jetë objekt i një verifikimi të brendshëm.












