Gentian Çipi është 41-vjeçari shqiptar që u arratis në mënyrë spektakolare gjatë transferimit nga burgu i Serresit drejt spitalit në Greqi.
Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi rreth orës 23:30, në ambientet e jashtme të spitalit, pranë repartit psikiatrik. Në automjetin e transportit ndodheshin Çipi dhe dy punonjës që e shoqëronin.
Në një moment, pranë automjetit u shfaqën dy makina të ngjashme me automjetet e policisë. Personat që ndodheshin në to iu afruan mjetit të transportit dhe, nën kërcënimin e armëve, neutralizuan dy shoqëruesit.
Më pas, autorët ndihmuan të burgosurin të largohej dhe, sipas informacioneve të publikuara, morën edhe armën e shërbimit të një prej punonjësve të burgut. Grupi u largua me dy automjetet dhe humbi gjurmët.
I dyshuar për tentativë vrasjeje në Selanik
Sipas mediave greke, Çipi ishte arrestuar në vitin 2025 nga strukturat e Krimit të Organizuar në lidhje me një çështje për tentativë vrasjeje në Selanik.
Ngjarja kishte ndodhur më 3 shtator 2024, në zonën e Pylaia-s në Selanik. Sipas autoriteteve greke, Çipi dyshohet se ka qëlluar ndaj një 25-vjeçari grek jashtë një kantine. I riu u plagos me tre plumba, por i mbijetoi atentatit, ndërsa autori i dyshuar u largua nga vendngjarja.
Çipi dyshohet gjithashtu nga autoritetet greke për përfshirje në çështje që lidhen me armët dhe trafikun e narkotikëve.
Në operacionin e zhvilluar për arrestimin e tij në shtator 2025 u arrestuan edhe Enea Basholli, 31 vjeç, dhe Kleo Topa, 24 vjeç, të dy nga Korça.
Sipas policisë greke, Çipi dyshohej se drejtonte një grup kriminal të përfshirë në trafik droge dhe veprime të dhunshme.
Gjatë operacionit, Çipi dhe Topa nuk iu bindën urdhrit të policisë. Sipas autoriteteve, ata shtuan shpejtësinë e automjetit dhe kryen manovra të rrezikshme, duke përplasur edhe një automjet policie. Më pas braktisën makinën dhe u larguan në këmbë, por u kapën nga policia.
Pak orë më vonë, në zonën e Halkidikisë, u arrestua edhe Enea Basholli.
Çipi, i dënuar edhe në Shqipëri
Gentian Çipi rezulton të ketë pasur precedentë penalë edhe në Shqipëri.
Në korrik 2024, ai u dënua me dy vite burg për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese.
Çipi ishte hetuar fillimisht me masën “arrest në burg”, por më pas gjykata e kishte zbutur masën në “ndalim të daljes jashtë shtetit” dhe “garanci pasurore”.
Ai ishte akuzuar për djegien e një automjeti më 24 prill 2023, në lagjen 13, në rrugën “Loni Grazhdani”, në Korçë.
Më herët, në janar 2023, në kuadër të operacionit “Fijet”, policia e kishte proceduar pasi pranë banesës së tij u gjetën kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara nga policia greke në kuadër të operacionit për kapjen e grupit, sipas autoriteteve, u sekuestruan një kallashnikov me 30 fishekë, tre pistoleta, një silenciator, rreth 31 kilogramë marijuanë, një pasaportë dhe një patentë të dyshuara si false, 23,350 euro, telefona celularë dhe tre automjete.
Ndërkohë, policia greke vijon kërkimet për kapjen e Gentian Çipit pas arratisjes nga automjeti i transportit të të burgosurve.












