E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Atentat, djegie makinash e trafik droge, kush është Gentian Çipi që u arratis në mënyrë spektakolare nga burgu në Greqi

Ilustrim · Vizion Plus

Gentian Çipi, lindur në Korçë dhe banues në Dishnicë të Korçës, është i burgosuri i arratisur mbrëmjen e djeshme në mënyrë spektakolare nga spitali i Serres në Greqi.

41-vjeçari nga Korça rezulton person me precedentë të rëndë penalë në Shqipëri e në Greqi. Konkretisht ai rezulton i dënuar në Shqipëri në korrik 2024 me 2 vjet burgim për “shkatërrim i pronës me zjarr” e kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese.

Fillimisht ai ishte hetuar në masën “Arrest në burg” por më pas Gjykata e kishte zbutur masën në “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Garancia pasurore”. Ai është akuzuar për djegien e një automjeti në 24 prill të vitit 2023, në lagjen 13, Rr. “Loni Grazhdani” në Korçë.

Më herët, në janar 2023, në kuadër të operacionit “Fijet”, policia procedoi Gentian Çipin për shkak se gjeti të vendosura kamera në mënyrë të paligjshme pranë banesës së tij.

Në 3 shtator 2024, Gentian Çipi hapi zjarr në Pylaia të Selanikut, duke tentuar të vrasë një 25-vjeçar grek jashtë një kantine.

Greku u plagos me 3 plumba, por arriti t’i mbijetojë plagëve, ndërsa Çipi arriti të arratisej.

Policia greke arriti ta identifikojë Çipin dhe organizoi operacion për kapjen e tij në shtator 2025.

Gjatë operacionit u arrestuan edhe Enea Basholli, 31 vjeç dhe Kleo Topa, 24 vjeç, gjithashtu nga Korça.

Sipas policisë greke, Gentian Çipi, rezulton kreu i një grupi kriminal që kryen trafik droge dhe veprime të dhunshme.

Gjatë operacionit për kapjen e tyre në Selanik, Çipi dhe Topa, nuk i janë bindur urdhrit të policisë, por kanë shtuar shpejtësinë e mjetit me të cilin lëviznin dhe kanë kryer manovra të rrezikshme duke përplasur një automjet të policisë.

Ata kanë braktisur mjetin dhe janë larguar në këmbë, por janë kapur më pas.

Pak orë më vonë, në zonën e Halkidikisë, ka rënë në pranga edhe Enea Basholli.

Gjatë kontrolleve të policisë greke, janë gjetur dhe sekuestruar 1 Kallashnikov me 30 fishekë, 3 pistoleta, silenciator, rreth 31 kg marijuanë, pasaportë false, patentë false, 23 mijë e 350 euro, celularë dhe 3 automjete.

Ndërkohë mbrëmjen e djeshme, 11 shtator, 41-vjeçari ka pretenduar se ndihej keq dhe është transportuar në spital. Persona të maskuar si policë, kanë arritur që të çarmatosin policët grekë që e shoqëronin Çipin të merrin me vete të burgosurin. Më pas u larguan me një automjet në drejtim të paditur.

Pas arratisjes, policia greke ka nisur një operacion të gjerë për lokalizimin dhe arrestimin e tij dhe të personave që ndihmuan në arratisje. Kontrollet janë përqendruar në zonën përreth Serres, ndërsa janë ngritur postblloqe në akset kryesore rrugore dhe në pikat kufitare./vizionplus.tv

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.