Policia greke ka gjetur njërin prej mjeteve që dyshohet se është përdorur nga bashkëpunëtorët e shqiptarit Gentian Çipit, i cili u arratis nga oborri i spitalit të Serres gjatë transferimit për mjekim.
Sipas mediave greke, automjeti dyshohet se është përfshirë në një aksident gjatë arratisjes dhe ka përfunduar në një zonë me kallamishte. Në xhamin e përparmë janë konstatuar gjurmë gjaku, ndërsa dyshohet se njëri prej personave që ndodhej në makinë ka marrë dëmtime në kokë.
Brenda automjetit, policia ka gjetur një kallashnikov dhe fishekë, ndërsa janë sekuestruar edhe materiale të tjera që pritet të analizohen nga autoritetet.
Ndërkohë, një automjet tjetër është gjetur i djegur plotësisht në Vrasna, në komunën e Volvit. Ende nuk është konfirmuar nëse kjo makinë ka lidhje me arratisjen, por policia greke po heton edhe këtë pistë.
Sipas informacioneve fillestare, rreth orës 23:30 automjeti i transportit ndodhej në oborrin e spitalit. Në atë moment, i burgosuri dhe dy persona, të cilët, sipas të njëjtave informacione, i përkasin rojes së jashtme të burgut, ndodheshin brenda furgonit.
Bashkëpunëtorët e 41-vjeçarit shqiptarë u shfaqën me automjete që dukeshin si makina policie. Nga informacionet e deritanishme, nuk duket se autorët e krimit mbanin veshur uniforma policie ose se shfaqeshin si anëtarë të OPKE-së. Megjithatë, një nga automjetet thuhet se ishte një Nissan Navara, e ngjashme me ato të përdorura nga OPKE-ja, dhe gjithashtu kishte një sinjal të vogël.
Kjo bëri që shoqëruesit e të burgosurve të besonin fillimisht se ishin oficerë policie. Pamja ndryshoi brenda sekondave, kur personat që ndodheshin në të dolën nga automjeti duke mbajtur kallashnikovë.
Nën kërcënimin e armës, ata i imobilizuan shoqëruesit dhe ndihmuan 41-vjeçarin të arratisej, ndërsa, sipas të njëjtit informacion, ata i hoqën edhe armën e shërbimit një oficeri të burgut. Më pas ata hipën në automjetet e tyre dhe u zhdukën.


