BE kërkon respektimin e verdiktit të Speciales për ish-krerët e UÇK-së: Vendimi mund të apelohet
Bashkimi Europian ka reaguar përpara shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në një deklaratë për Gazeta Express, BE u ka bërë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve të përfshira në proces që të tregohen të përmbajtura dhe të respektojnë procedurat gjyqësore, si dhe vendimin që do të marrë gjykata.
“Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen e Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, thuhet në reagimin e Brukselit.
BE ka ritheksuar mbështetjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke i cilësuar ato si një institucion gjyqësor të pavarur. Sipas BE-së, institucioni u krijua përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014-2015, ndërsa procedurat u zhvendosën në Hagë me qëllim garantimin e një procesi të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë.
Brukseli ka nënvizuar gjithashtu se vendimi i shkallës së parë nuk shënon përfundimin e procesit gjyqësor.
“Ashtu si në të gjitha procedurat e tjera gjyqësore, ndaj aktgjykimeve të shkallës së parë mund të ushtrohet ankesë si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria”, thekson BE.
Në reagimin e tij, Bashkimi Europian vlerëson se puna e Dhomave të Specializuara është e rëndësishme për garantimin e llogaridhënies dhe për njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Ndërkohë, në Prishtinë sot zhvillohet një marsh paqësor në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Pjesëmarrësit kanë kërkuar drejtësi për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, ndërsa procesi në Hagë është shoqëruar vazhdimisht me kritika nga një pjesë e opinionit publik dhe politik në Kosovë.
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së përballen me një aktakuzë prej 10 pikash, ku gjashtë lidhen me krime kundër njerëzimit dhe katër me krime lufte. Në fillim të këtij viti, Prokuroria e Specializuar kërkoi dënime me nga 45 vite burg për të akuzuarit.
Në prag të verdiktit të Gjykatës Speciale, Prishtina bëhet gati për ‘Marshin e Lirisë’, mbështetje për krerët e UÇK
Qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora drejt Prishtinës për marshin në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së
Prishtina mban sot Marshin për Liri në mbështetje të ish-krerëve të UÇK në Hagë
- 13:15 Në prag të verdiktit të Gjykatës Speciale, Prishtina bëhet gati për ‘Marshin e Lirisë’, mbështetje për krerët e UÇK
- 12:56 Dënohet me 12 vite burgim minoreni që vrau me thikë bashkëmoshatarin në Maliq
- 12:45 Arratisja si në filma e të burgosurit shqiptar në Greqi, gjendet makina me kallashnikov
- 12:34 Qarkullonte i armatosur me pistoletë, arrestohet 30-vjeçari në Durrës
- 12:31 Të paktën 2 të vrarë dhe 17 të plagosur nga sulmet në Ukrainë
- 12:23 Protestë kundër muzeut hebraik në Vlorë. Institucionet: Projekti nuk po ndërtohet në godinën e Klubit Patriotik Labëria