Pensionet shqiptare në Itali, diaspora i kërkon Ramës heqjen e tatimit nga qeveria italiane

12 Shtator 2026 | 14:25

Përfaqësues të diasporës shqiptare në Itali i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama nisjen e një dialogu institucional me autoritetet italiane për trajtimin tatimor të pensioneve shqiptare që përfitohen nga qytetarët me rezidencë fiskale në Itali.

Kërkesa është paraqitur nga grupi “Pension – Dinjitet – Unitet” dhe shoqata “Diaspora 91-19 ANIAP”, të cilat argumentojnë se pensionet shqiptare, shpesh në nivele të ulëta, përfshihen në bazën e tatueshme të përfituesve në Itali.

Sipas kërkesës, nga 1 korriku 2025 është në fuqi Marrëveshja Shqipëri–Itali për sigurimet shoqërore, e cila koordinon periudhat e sigurimit dhe njeh të drejtën e pensionit të krijuar nga kontributet në të dy vendet.

Përfaqësuesit e diasporës i referohen gjithashtu Konventës mes Shqipërisë dhe Italisë për shmangien e tatimit të dyfishtë, duke argumentuar se pensionet që lidhen me një punësim të mëparshëm tatohen në shtetin ku përfituesi ka rezidencën fiskale.

Sipas tyre, një qytetar që jeton në Itali dhe përfiton një pension shqiptar prej rreth 100–150 eurosh në muaj duhet ta deklarojë këtë shumë në Itali, ku ajo i shtohet të ardhurave të tjera dhe tatohet sipas sistemit progresiv italian IRPEF. Tatimi sipas ligjeve italiane arrin deri 20%.

Në kërkesën drejtuar qeverisë shqiptare argumentohet se kjo krijon një barrë të ndjeshme për pensione relativisht të ulëta dhe kërkohet që trajtimi fiskal të marrë në konsideratë nivelin e të ardhurave dhe kapacitetin real kontribues të pensionistëve.

Përfaqësuesit e diasporës kërkojnë që Tirana zyrtare të negociojë me palën italiane mundësinë e një protokolli shtesë ose një marrëveshjeje që të trajtojë në mënyrë specifike pensionet e ulëta shqiptare të përfituara në Itali.

Mes propozimeve është edhe krijimi i një trajtimi më të favorshëm për pensionet shqiptare nën një prag të caktuar vjetor, si dhe shqyrtimi i një forme tatimi të reduktuar për pensionet minimale të huaja.

Ata kërkojnë gjithashtu ngritjen e një tryeze të përbashkët Shqipëri–Itali me përfaqësues të institucioneve fiskale, sigurimeve shoqërore, diasporës dhe strukturave që asistojnë pensionistët.

“Një pension prej 100–150 eurosh në muaj nuk është pasuri, është njohja minimale e një jete pune të kryer në Shqipëri”, thuhet në kërkesën e firmosur nga përfaqësuesit e “Pension – Dinjitet – Unitet” dhe “Diaspora 91-19 ANIAP”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Për shëndetin, nuk ka rëndësi vetëm numri i hapave, por edhe ritmi

Prej dekadash ekspertët ndajnë mendime të ndryshme mbi numrin e hapave ditore që na ndikojnë në shëndet. Shumë janë të mendimit se 5000 hapa në...
18:04 | 10/09/2026

PISA 2025, Rama: Shqipëria shënon rezultatet më të mira, e para në rajon

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të rezultateve të testit ndërkombëtar PISA 2025, duke e cilësuar performancën e nxënësve shqiptarë si një arritje të...
08:42 | 09/09/2026

Ekspozimi ndaj tymit të duhanit shkakton çdo vit 1,66 mln vdekje në botë

Qëndrimi në mjedise me tym duhani shkakton dëme serioze shëndetësore, si sëmundjet e zemrës, frymëmarrjes dhe kancerin, duke u bërë kështu një nga shkaqet kryesore...
19:52 | 08/09/2026