Në Prishtinë po zhvillohet tubimi në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në prag të shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, duke iu bashkuar “Marshit për Liri”, të organizuar nga iniciativa “Liria ka emër”.
Tubimi po zhvillohet në shenjë solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Në marsh kanë marrë pjesë qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, si dhe shqiptarë nga Shqipëria dhe diaspora. Mes pjesëmarrësve ka edhe shqiptarë nga Zvicra dhe vende të tjera.
Tubimi zhvillohet në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë për katër ish-krerët e UÇK-së, i cili pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë.
Në mesin e të pranishmëve janë edhe përfaqësues e anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës, të cilët janë në shesh në mbështetje të “Marshit për Liri”. Pjesëmarrës në marsh është edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Në marsh po merr pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti Arton Konushevci, vëllai i dëshmorit Ilir Konushevci, si dhe deputetët Adnan Rrustemi, Valon Hoti dhe Salih Zyba janë të pranishëm mes qytetarëve.
Ndërkohë, kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka folur për gazetarët lidhur me mospjesëmarrjen e Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut në “Marshin për Liri”.
“Edhe ata që marrin pjesë edhe ata që s’marrin pjesë e dinë çfarë do të thotë vendimi i së mërkurës për të ardhmen e Kosovës. Prandaj për mua është e pakuptimtë. Shkronja e UÇK ‘së duhet t’i bashkojnë të gjithë ata që e ndjejnë krenrarë veten për të kaluarën e tyre dhe të gjithë ata që po i shijojnë benefitet e këtij shteti të ndërtuar me sakrificë e gjak”, ka thënë Limaj.
