E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Rama reagon pas protestës për Muzeun Hebraik në Vlorë: Një grup delenxhinjsh me në krye Lesko Pijanikun

Ilustrim · Vizion Plus

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së zhvilluar në Vlorë kundër vijimit të punimeve për ndërtimin e Muzeut Hebraik.

Përmes një reagimi në rrjetin social “X”, Rama i ka cilësuar protestuesit “delenxhinj”, ndërsa ka hedhur poshtë pretendimet se ndërtimi i Muzeut Hebraik po dëmton apo po zëvendëson Muzeun Labëria.

Ai gjithashtu ka hedhur akuza edhe ndaj deputetit demokrat Bujar Leskaj, të cilin e quan “Lesko pijaniku”.

“Një grup delenxhinjsh me në krye Lesko pijanikun kanë mësyrë sot në kantierin e Muzeut Hebraik të Vlorës”, shkruan Rama, duke e cilësuar muzeun si “një gur themeli i kujtesës historike të qytetit të Pavarësisë e të lavdisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Sipas kryeministrit, Muzeu Labëria nuk do të zhduket, por do të rikonstruktohet. Rama deklaron se, me kërkesën e tij, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mijë dollarë për hartimin e projektit për “Rilindjen e Muzeut Labëria”.

“Një karakatinë e degraduar totalisht që do të kthehet krahas Muzeut Hebraik në një tjetër derë të hapur krenarie të Vlorës patriotike e turistike”, shprehet Rama.

Reagimi i kryeministrit vjen pas protestës së zhvilluar sot në zonën ku po ndërtohet Muzeu Hebraik. Protestuesit kanë kundërshtuar vendndodhjen e projektit, duke argumentuar se hapësira ka rëndësi për historinë kombëtare shqiptare dhe se aty duhet të ruhet identiteti historik i lidhur me Vlorën dhe Pavarësinë.

Protestuesit kanë deklaruar se kundërshtimi i tyre nuk lidhet me historinë e komunitetit hebre dhe kanë kujtuar rolin e shqiptarëve në strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit. Ata kanë kërkuar që Muzeu Hebraik të ndërtohet në një tjetër hapësirë.

Protesta u shoqërua edhe me tensione, pasi disa prej qytetarëve tentuan të futen në kantier. Mes tyre dhe forcave të Policisë pati përplasje.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.