SYRI TV/ Diaspora i bashkohet protestës, autokolona u bllokua në Mal të zi, hyri në Shqipëri përmes Kukësit

15:16, 12/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qeveria shqiptare i kërkoi qeverisë së Malit të Zi të na bllokonin në pikat kufitare, me argumentin se po vijmë në Shqipëri destabilitet. Denoncimi u bë nga një prej emigrantëve që janë pjesë e autokolonës, që kanë ardhur nga Anglia për të marrë pjesë në ditën e 105-të të protestës para Kryeministrisë. Autokolona nga Mali i Zi ka zgjedhur të shkojë në Pejë, më pas në Prizren e Kukës, me destinacion final Tiranën.

Me qindra emigrantë shqiptarë, të nisur nga Anglia tre ditë më parë, kanë hyrë në pikën kufitare të Morinit në Kukës, për të marrë pjesë në protestën që këtë të shtunë hyn në ditën e 106-të.

Pas bllokimit në Mal të Zi për shkak të simboleve kombëtare shqiptare, ata kanë vendosur të mos vijnë përmes Murriqanit dhe Hanit të Hotit në Shqipëri, por kanë kaluar nga Mali i Zi në Pejë dhe më pas janë drejtuar në Prizren dhe më pas drejt Kukësit, për të vijuar në Tiranë.

Një prej emigrantëve tregon peripecitë që kanë kaluar në pikën kufitare të Malit të Zi, teksa konfirmoi se pala malazeze ka pasur urdhër nga qeveria shqiptare.

Emigrantët që po vijnë për të marrë pjesë në protestë shprehen se ka ardhur koha për t’i dhënë fund tranzicionit.

Autokolona më pas është nisur në Rrugën e Kombit përmes Mirditës, me destinacion final sheshin para Kryeministrisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco