Kryeministri Edi Rama ka reaguar ditën e sotme lidhur me protestën që është zhvilluar sot në qytetin e Vlorës kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik, e cila u shoqërua me tensione e përplasje mes protestuesve e Policisë.
Përmes një postimi të bërë në X, Rama ka kritikuar ashpër protestuesit, duke i akuzuar se kanë kundërshtuar projektin me pretendimin se ndërtimi i Muzeut Hebraik do të dëmtojë Muzeun Labëria, i njohur edhe si Muzeu Etnografik.
Rama deklaroi gjithashtu se Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mijë dollarë për hartimin e projektit për restaurimin dhe transformimin e Muzeut Labëria.
Reagimi i plotë:
Një grup delenxhinjsh me në krye Lesko pijanikun kanë mësyrë sot në kantierin e Muzeut Hebraik të Vlorës - një gur themeli i kujtesës historike të qytetit të Pavarësisë e të lavdisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore - me pretendimin pervers dhe shpifarak se medemek po u shkatërroka Muzeu Labëria ose ndryshe Muzeu Etnografik????
Çeta e Lesko Pijanikut e ka zakon këtë ritual sulmesh mbi kantieret e transformimit epokal të Vlorës, por populli vlonjat duhet ta dijë që me kërkesën time, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mije USD per hartimin e projektit të Rilindjes së Muzeut Labëria, një karakatinë e degraduar totalisht që do të kthehet krahas Muzeut Hebraik në një tjetër derë të hapur krenarie të Vlorës patriotike e turistike. Dhe Lesko Pijaniku do vrapojë tek kantieret e radhës, njësoj siç vrapon përnatë pas kecave e pulave që shoqërojnë rrëketë e rakisë në gurmazin e pangopur të tij.
