Lajmi i fundit

LIVE- 'Marshi për Liri' kthehet në Prishtinë në prag të verdiktit të Gjykatës Speciale

E rrahën dhe e lidhën, partnerja shtatzënë u sulmua: Gjykata dënon me 9 vjet burg grabitësin e Donnarummas

E rrahën dhe e lidhën, partnerja shtatzënë u sulmua: Gjykata dënon me 9 vjet burg grabitësin e Donnarummas

16:22, 12/09/2026

Gjykata Penale e Parisit ka dënuar me nëntë vjet burg dhe një gjobë prej 80 mijë eurosh Ilyas Kherbouch, i njohur me nofkën “Ganito”, për rolin e tij në grabitjen e dhunshme të shtëpisë së Gianluigi Donnarummas dhe partneres së tij, Alessia Elefante.

Ngjarja e rëndë ndodhi në korrik të vitit 2023, në banesën e portierit italian në Paris, në kohën kur ai ishte pjesë e Paris Saint-Germainit.

Donnarumma dhe Elefante u sulmuan dhe u neutralizuan nga grabitësit, të cilët arritën të merrnin sende me vlerë rreth një milion euro.

Grabitësit morën ora luksoze, bizhuteri, para të gatshme dhe çelësa të automjeteve luksoze.

Në atë kohë, Elefante ishte shtatzënë dhe pësoi një abort pak kohë pas sulmit.

Kherbouch, 21-vjeçar, u shpall fajtor për drejtimin e operacionit kriminal dhe u dënua me nëntë vjet burg, krahas gjobës prej 80 mijë eurosh.

Ndërkohë, një tjetër i akuzuar, Moktar Diop, u dënua me pesë vjet burg, prej të cilave dy janë pezulluar.

Khyan Mamouni, i cilësuar nga prokuroria si një tjetër organizator kryesor i grabitjes, u shpall i pafajshëm dhe u lirua nga akuzat.

Donnarumma dhe partnerja e tij nuk morën pjesë në procesin gjyqësor, i cili u zhvillua më 10 dhe 11 shtator.

Seanca u ndërpre përkohësisht për shkak të fyerjeve dhe kërcënimeve të bëra nga Kherbouch gjatë procesit.

Ai kishte arritur të arratisej nga burgu i Villepinte në muajin mars, përpara se të kapej sërish nga autoritetet.

Donnarumma, i cili tashmë është pjesë e Manchester Cityt, dhe Elefante mbetën viktima të një prej grabitjeve më të rënda ndaj një futbollisti në Francë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco