Muli organizon pritjen e Doktorit në Rinas

12 Shtator 2026, 16:34Antena TEMA

Muli ka marrë masa serioze për pritjen e Doktorit në Rinas. Protokolli është shumë i rreptë. Kamerat po ashtu kanë marrë udhëzime specifike.

Së pari, gjithë vëmendja duhet të fokusohet te Doktori dhe jo te shoqëruesit e vet. Porosia e parë është që Cim Peka të mos shfaqet askund pranë Doktorit. Dhe nëse në transmetim live ai i afrohet, kamera duhet të largohet.

Belon dhe Klevesin nuk duhet t’i fokusojnë fare, vetëm kur të bashkohen me turmën.

Për Albanën ka leje të marrin disa plane.

Pasi ia dha Lelos planin, ky u shqetësua seriozisht.

— Do ta kemi pak të vështirë, — i tha.

— Pse? — i tha Muli.

— Dhe kur pritëm Lulin që u kthye nga fotografia me Trumpin, e bëmë një plan të tillë, po dështuam. Dhe merre me mend që kishin arsye njerëzit të gëzonin se kishte takuar Trumpin. Tani Zekriun dhe Ludovikun ka takuar. Është pak problem.

— Ne na duhet sa më triumfaliste, — i tha Muli. — Por na duhet vetëm Doktori. Se Fatmir Mediu është e sigurt që nuk i ndahet.

— Ishalla ka ndenjur aty, se ai zakonisht rri më gjatë, — tha Lelo. — Se atë s’e heqim dot nga kamerat, se rri para Doktorit. E kemi si nënkryetar të parë të PD-së.

— Ky është plani dhe duhet zbatuar, — tha Muli. — Nuk dua llafe. Shqiptarët duhet të binden se Doktori është kthyer nga Trumpi dhe Konventa Republikane ka pasur sukses për shkak të pranisë së tij.

— Kur e mendon hollë-hollë, Doktori ishte personaliteti më i lartë botëror në konventë, — tha Lelo. — Nuk ka pse të mos jetë krenar.

— Pikërisht këto vlera duhet të dalin në mitingun e sotëm, — tha Muli. — Shqipëria duhet ta marrë vesh që Doktori po sjell Amerikën në Shqipëri. Ju gjend Trumpit në ditë të vështira, krah tij.

— Patjetër, — tha Lelo. — Të kishte dhe një foto për inat të Bashës do qe më mirë, por dhe me Ludovikun nuk është keq.

Lini një Përgjigje